Dr. Orhan Bislimaj

Prizreni, unanimisht e do rindërtimin e xhamisë në kalanë e Prizrenit – (7)

1) Intrigat islamofobe kundër xhamisë së Kalasë

Problematika e xhamisë në kalanë e Prizrenit, sapo doli si çështje në opinionin e gjerë publik, islamofobët u ngritën kundër, si gjithmonë. Personalisht, jam i zotuar që ta respektoj pluralizmin dhe diversitetin e mendimeve, gjersa janë objektive dhe të arsyeshme. Kështu në mëson kultura shkencore. Por, te ithtarët e islamofobisë, nuk kam mundur të gjej aspak qasje objektive në raport me kulturën islame. Ata, sikur janë mallkuar për të qenë kundër çdo gjëje islame. Fatmirësisht, që janë numër shumë i vogël, madje i papërfillshëm. Më vjen keq prej vetvetes, që duhet të merremi me këtë kategori amorfe, me këta njerzë të ligjë, labilë e të frustruar përfundimisht. Megjithatë, nëpërmjet këtij shkrimi, dua t’i flasë të gjithë atyre, që mund të ngelin të papërgatitur përballë intrigave të tyre antiislame.

Një gjë duhet thënë, xhamia e Kalasë së Prizrenit është injoruar në planin e restaurimit me paramendim dhe mbi paragjykimet islamofobe, antiislame e krishterimocentriste. Për fatin e keq, në krye të Ministrisë së Kulturës, nuk pati një burr, që do ta thotë të vërtetën pa belbëzime e pa devijime. Përkundrazi, në kry të saj pati ministra “burreca”, labilë, të padrejtë e të pandërgjegjshëm. Të keqën e filloi ish-ministri nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi që nuk e trajtoi xhaminë në kuadër të planit. Edhe më keq vazhdoi ministri i fundit, z. Kujtim Shala, që asnjnëherë nuk e trajtoi kërkesën e qytetarëve dhe peticionin e tyre. Që të gjithë, një pas një, i dhanë lak xhamisë, qoftë për hesape personale apo për llogari të shefave të tyre. Xhamia nuk kërkon lëmoshë prej askujt, ajo kërkon vetëm drejtësinë e vonuar, pikë.

Në këtë melodi të hidhur kundër xhamisë së Kalasë, islamofobët i shfrytëzuan disa argumente fiktive, për ta fuqizuar djallëzinë e tyre kundër rindërtimit të xhamisë. Zëri i tyre ka qenë shumë i zbehtë, madje i pahetueshëm. Me gjithë mllefin e madh, kurrë nuk arriti t’i bëhet rivalitet zërit të fuqishëm të qytetarëve. Sa herë që i kam lexuar apo dëgjuar truket e tyre, aty-këtu, se me të vërtetë kanë qenë vetëm disa persona, duket sheshazi se nuk kanë asnjë argument kredibil, përveç urrejtjes patologjke e të pashpjegueshme. Madje, ata vetë nuk i besojnë fjalëve të tyre. Në vazhdim, do të denoncojmë disa prej intrigave të tyre kryesore.

 

2) Intriga e parë: “Kalaja është më e vjetër se xhamia…!?”

Islamofobët, vazhdojnë ta kundërshtojnë xhaminë me pretendimin se kalaja është më e vjetër se xhamia!? Është e vërtetë se Kalaja është me e vjetër se xhamia, por, po ashtu është e vërtetë se kalaja ka ecur nëpër shumë faza të historisë dhe ajo është zgjeruar për disa herë më shumë. Xhamia është pjesë e kësaj historie dhe është e rëndësishme sa edhe vetë kalaja. Për shembull, në periudhën romake, kalaja ka qenë fare e ngushtë. Bile, kjo sipërfaqe paraosmane, për kohën e tanishme, nuk përbën ndonjë atraksion të veçantë për turizmin, sepse mungojnë ato pak asete, që kanë qenë atëbotë dhe se nuk mund të rindërtohen, për shkak të mungesës së pamjes së tyre dhe fakteve. Por, kalaja mbetet interesante, pikërisht në saje të zgjerimit që e ka përjetuar në kohën osmane.

Për më se pesë shekujsh, kalaja është plotësuar me objekte të ndryshme, përfshirë dhe xhaminë në mes të saj. Sot, ato asete i kemi rindërtuar, në emër të rëndësisë dhe atraksionit për zhvillimin e turizmit, ndërsa kur është fjala për xhaminë, që i përket të njëjtës periudhë, nuk veprojmë njësojë!? Kjo dëshmon se nuk bëhet fjalë për qëndrim parimor, por për ngarkesë të islamofobisë patetike. Tek e fundit, për rëndësinë e rekonstruimit të xhamisë janë deklaruar qytetarët nëpërmjet peticionit, ndërsa rindërtimi i aseteve të tjera, ka ndodhur në bazë të dëshirës së një personi, qoftë ministër, kryeminsitër apo dikush tjetër. Demokracia nënkupton sundimin e popullit, ndërsa monizmi është e kundërta e saj. Prandaj, qytetarët kanë të drejtë gjithmonë.

 

3) Intriga e dytë: “Kinse, ka pas edhe kishë në kala…!?”

Përkrahësit e krishterimocentrizmit në Kosovë, ortodoksët dhe katolikët, prej kohësh kanë propaganduar për një kishë imagjinare në kalanë e Prizrenit. Si ide, ka lindur nga dëshirat e sëmura për t’i bërë rivalitet xhamisë dhe asnjëherë mbi ndonjë fakt, qoftë edhe të vetëm. Kjo, më së miri duket në mllefin e islamofobëve, të cilët e shfrytëzuan idenë e kishës fiktive, me qëllim që ta relativizojnë në sytë e publikut kërkesën për rindërtimin e xhamisë apo që ta bëjnë sa më delikate dhe problematike rindërtimin e saj. Bile, islamofobët pushtetar, këtë propagandë të nisur nga serbët se aty kinse ka ekzistuar një kishë, e kanë menduar si argumentin kryesor kundër xhamisë. Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Shala, në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës, datë 19.01.2017, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit z. Fikrim Damka në lidhje me kërkesën e qytetarëve për xhaminë e kalasë, pati thënë: “ka evidencë edhe për një kishë!?”[1] Ky ministër e di shumë mirë se nuk ka pasur kishë në Kala, por nëpërmjet kishës fiktive ortodokse serbe, kishte për qëllim të kapet për klishetë dhe stereotipet e shabllanit: “as xhami e as kishë”.

Më vjen keq për këta shqiptarë, që për ta çuar deri në fund urrejtjen kundër xhamisë së kalasë, kapen po qoftë edhe për mitet serbe. Vetëm disa nacionalistë serbë kanë pretenduar se kinse ka qenë një kishë në Kalanë e Prizrenit apo se xhamia kinse është ndërtuar mbi themelet e saj!? Këto thashe-theme, që disa shqiptarë të ligë po i stërmadhojnë, pa qenë të vetëdijshëm për dëmin nacional, gjenezën e kanë në spekulimet e Petar Kostiqit, një serb që shërbeu si arsimtar dhe drejtor i “Bogosllovisë” – shkollë e mesme fetare ortodokse serbe në Prizren dhe, kishte influencë te serbët e Prizrenit, prej vitit 1873 gjer në vitin 1912. Kostiqi, duke iu referuar edhe konsullit rus Ivan Jastrebov, citon se në Kala ka ekzistuar kisha e “Shën Anastasit”, mbi të cilën, Emin Pasha e ka (ri)ndërtuar xhaminë, në vitin hixhri 1226, gregorian 1805.[2]

Duhet thënë se deklarimet e Ivan Jastrebov dhe Petar Kostiqit, nuk kanë aspak peshë shkencore dhe janë në frymën e aspiratave sllavo-serbe mbi territoret shqiptare, sipas parimit aty ku është një kishë, ajo është tokë serbe!? Kjo vërehet akoma më shumë te Petar Kostiqi, i cili, kur shkruan për jetën kishtare të serbëve ortodoks të Prizrenit dhe rrethinës gjatë shek. XIX, aq shumë e stërmadhon numrin e kishave ortodokse serbe në Prizren, sa që e bën përrallë këtë punë. Sipas tij, “Në Prizren ka pas kisha aq sa ka pas ditë viti”, ndërsa për fshatrat e Prizrenit thotë se: “nuk ka pas fshat në Prizren që nuk ka pas një kishë, bile në disa fshatra ka pas edhe prej 3-10 kisha”[3] Në fakt, si njëri edhe tjetri, kanë mungesë të njohurive elementare për xhaminë, sepse xhamia nuk është rindërtuar nga Emin Pasha, siç pohojnë ata, por nga Mahmud Pashë Rrotulla, në vitin 1828 dhe jo në vitin 1805. Kjo vërtetohet në mbishkrimin e xhamisë në origjinal, që aktualisht ruhet në muzeun arkeologjik të Prizrenit.

Fatmirësisht, të gjitha këto trillime dhe intriga, janë hedhur poshtë si të pabaza, nga vetë arkeologët serbë. Enti për MPK-Prizren, në vitin 1969, prej datës 03.07.1969 – 05.09.1969, zyrtarisht ka zhvilluar hulumtimet arkeologjike në Kalanë e Prizrenit, përfshirë dhe xhaminë. Kërkimet shkencore, u financuan nga mjetet e buxhetit të Kuvendit të KSAK dhe iu besuan prof. dr. Jovan Kovaçeviq nga Universiteti i Beogradit, me pjesëmarrjen e 7 ekspertëve dhe 7 studentëve të arkeologjisë, si dhe 10 ekspertëve të lëmenjëve të ndryshëm të Entit.[4] Gjatë kërkimeve arkeologjike, studiuesit kanë vërtetuar se xhamia në Kala është ndërtuar direkt mbi shkëmbin natyror dhe nuk është e ndërtuar mbi themelet e kishës ortodokse të “Shën Anastasit” siç supozohej më parë.[5]

Prandaj, këto klishe për kishë në Kala janë abusrditet dhe pjellë e shovinizmit serb. Shqiptarët, duhet t’i harrojnë nga fjalori i tyre. Sepse, tek e fundit, vetë studiuesit objektivë serbë, nuk i kanë këto pikëpamje. Për shembull, për dallim nga Ivan Jastrebovi e Petar Kostiqi, studiuesja serbe Dr. Tatjan Katiqi nga Insitituti i historisë në Beograd, në punimin e saj shkencor “Osmanizimi i qytetit mesjetar serb të Prizrenit, gjatë shek. XV dhe XVI-të”, kur flet për kishat ortodokse serbe në Prizren, ato që janë ekzistuese apo të rrënuara në të kaluarën, askund nuk e përmend kishën e “Shën Anastasit”, si një objekt që ndonjëherë ka ekzistuar.[6]

 

4) Intriga e tretë: “Kinse, xhamia është e pushtuesit…!?”

Kemi dëgjuar prej islamofobëve, aty-këtu, se xhamia e kalasë kinse “është e pushtuesit – Perandorisë Osmane, e nuk është e shqiptarëve” Kjo, intrigë, më shumë se çdo gjë tjetër, implikon racizëm dhe shovinizëm, dhe atë për tri arsye:

1) Monumentet kulturo-historike, janë vlera tipike, pavarësisht se prej kujt ndërtohen. Për fatin e mirë, apo të themi për fatin e keq të islamofobëve, xhamia e kalasë për herën e fundit është rindërtuar nga shqiptarët. Në vitin 1689, xhamia ishte rrënuar nga austriakët nën komandën e gjeneralit me prejardhje italiane, Eneo Pikëlominit. Mirëpo, Mahmud Pashë Rrotlla, në vitin 1828 (1244 sipas hixhrit)[7], e rindërtoi xhaminë e kalasë, sipas dimenzioneve të mëparshme. Sa për informacion, familja prizrenase e rrotllajve, ka qenë një familje autoktone shqiptare, që ka qeverisur me Sanxhakun e Prizrenit më se një shekull (1747-1843)[8], e që është edhe një dëshmi se shqiptarët kanë vetëqeverisur me vendin, gjatë kohës së Perandorisë Osmane.

2) Nëse e ndjekim logjikën raciste e shoviniste kundër çdo gjëje që është “e huaj”, atëherë ne duhet të rrënojmë dhe shkatërrojmë në Kala çdo gjë që gjejmë prej mbetjeve romake, ngase edhe pushtetet e tjera, para perandorisë osmane, kanë qenë të huaj e agresore e assesi shqiptare. Bile, të gjithë e dijmë se Perandoria Osmane ka qenë shpëtimtare e shqiptarëve dhe as që mund të krahasohet me pushtetet e tjera okupatore. Pastaj, nëse aq shumë e urrejmë “të huajën”, atëherë duhet të fillojmë spastrimin prej identitetit nacional, kulturës, traditave, etj, e të shohim se ku po na shpijë kjo rrugë!? Por, islamofobëve nuk u pengojnë të tjerat, madje as pushteti i Car Llazarit, por u pengon Perandoria Osmane, e arsyeja dihet, për shkak të urrejtjes ndaj islamit!?

3) Në të vërtetë, cilësimi i xhamisë se është e “pushtuesit”- Perandorisë Osmane, është një farsë kundër vetë xhamisë si institucion. Sepse, sot, mjafton të shkosh në Kala dhe do t’i shohish objektet e rindërtuara, e që i përkasin periudhës osmane. Pra, bëhet fjalë për urrejt ndaj xhamisë, si objekt, e kjo bëhet akoma më e qartë, kur dihet se kërkesa ka të bëjë për ringritjen e saj si objekt kulturor, e jo për aktivitete fetare.

 

5) Intriga e katërt: “Prizreni ka mjaft xhami…!?”

Një prej intrigave, është edhe kjo se “Prizreni ka mjaft xhami”. Është e vërtetë se Prizreni ka më shumë xhami se qytetet e tjera të Kosovës dhe është më i veçantë në Ballkan. Por, gjithashtu është e vërtetë se Prizreni nuk ka xhami të mjaftueshme në krahasim me proporcionin e popullatës. Për shembull, Prizreni, në vitin 1910, sipas regjistrimit turk, i kishte 30.285 banorë, prej tyre 23.800 muslimanë[9], ndërsa nga raporti i hollësishëm i konsullit austriak në Prizren, i vitit 1914, Prizreni i kishte 32 xhami.[10] Ndërsa sot, sipas regjistrimit të vitit 2011, i ka 178 mijë, dhe i ka 35 xhami. Domethënë është dallim shumë i madh. Akoma ka nevojë edhe për shumë xhami të tjera.

Mirëpo, në rastin tonë, ky argument se Prizeni ka mjaft xhami, nuk vlen fare, sepse askush nuk po kërkon që xhamia e kalasë të rindërtohet për aktivitete fetare, por si aset kulturo-historik dhe pjesë përbërëse e origjinalitetit të kalasë. Qytetarët e duan kalanë origjinale, jo të fallsifikuar e as të tjetërsuar.

 

6) Intriga e pestë: “Nëpër kala, s’ka faltore…!?”

Të gjithë e dinë se nëpër kala, gjithandej nëpër botë, ka edhe objekte fetare. Zonat arkeologjike, nuk pasqyrojnë të tashmen, ato janë produkt i civilizimeve të kaluara. Nëse në një kala nuk ka pasur faltore asnjëherë, atëherë nuk do të ketë, pasiqë këtyre zonave nuk u shtohen objekte të paqena, për hirë të origjinalitetit. Por, nëse ka pasur faltore në një kala, ku do qoftë ajo, atëherë duhet të ekzistojë ajo, pavarësisht a është xhami apo ndonjë objekt tjetër i bashkësive të tjera fetare. Në të kundërtën, nuk jemi duke bërë ruajtje të trashëgimisë kulturo-historike, por tjetërsim të saj dhe nuk ka punë më të keqe. Për shembull, në Kalanë e Beratit, Shqipëri, ekzistojnë dy xhami, po ashtu aty është edhe kisha. Pastaj, objektet fetare gjinden edhe në kalanë e Shkodrës, etj. Sipas islamofobëve e antitesitëve, këto objekte duhet të “mineratën” dhe të hidhen në ajër, sepse ata nuk i duan!? Me të vërtetë, niveli i këtyre është për keqardhje. Përkundrazi, këto objekte duhet të trajtohen njësoj sikurse të gjitha objektet e tjera në atë hapësirë. Aseti i trashëgimisë kulturore, është vlerë për faktin e vetëm se është trashëgimi kulturore, që pasqyron të kaluarën e popullit e pastaj mund të vijnë në shprehje aspektet e tjera të atij aseti. Në këtë rast, objektet fetare, duhet trajtuar me prioritet, pasiqë janë objekte të rëndësisë së veçantë, për shkak të rolit të tyre fetar, kulturor dhe edukativ. Kështu kanë qenë gjithmonë edhe sot janë të tilla. Por, në anën tjetër, nëse nuk ka ndodhur trajtimi arkeologjik (restaurim, konzervim apo rekonstruim), ndaj asnjërit objekt, atëherë, edhe për objektet fetare, më së paku, duhet ta pranojmë fatin e njejtë.

Por, çfarë ka ndodhur në Kalanë e Prizrenit. Ministria e Kulturës dhe pushteti i kohës, e kanë dënuar xhaminë për të mbetur gërmadhë, ndërsa i kanë favorizuar të gjitha objektet e tjera përreth saj, do të thoja të parëndësishme, për të mos thënë “të pa vlerë”, përfshirë edhe ahuret e kuajve!? Çfarë paradoksi? Të gjithë e dinë, se xhamia është një “hënë pesëmbëdhjetëshe” dhe bukuri e vendit, ndërsa, del një “pushtetar tekanjoz” antiislamist e antiteist dhe fatin e kulturës dhe të kalasë ia përshtat shijës së vet!? Nëse injorimi i qëllimshëm i xhamisë, nuk është islamofobi apo mercenarizëm antiislam, e që unë besoj se është i tillë, atëherë është agresion i çmendur kundër historisë dhe të kaluarës së popullit. Kjo do të jetë e papranuar për qytetarët e Prizrenit, të cilët kanë dëshmuar me vepër se e duan xhaminë e Kalasë, as më pak e as më shumë, si një objekt i barabartë në mesin e objekteve të tjera që janë ngritur aty.

Prandaj, intriga djallëzore se “nëpër kala s’ka faltore”, bëhet akoma më absurde, gjersa Bashkësia Islame, deklarativisht e ka thënë se objektin e xhamisë e duan si një aset kulturore, pa pretendime për objekt fetar.

 

(Punim i botuar në: “Dituria islame”, nr.327, Janar, 2018)

 

 



[2] Shih: Petar Kostiq, Crkveni život pravoslavnih srba u Prizrenu,…u XIX veku, Beograd, 1928, str.I, ribotim 1998, fq. 93, sipas: Faik Miftari http://www.radiokosovaelire.com/faik-miftari-pse-duhet-te-rindertohet-xhamia-ne-kala-te-prizrenit/, data e publikimit dhe citimit:08.11.2016.

[3] Shih: Petar Kostiq, po aty, fq.71, sipas: Faik Miftari, po aty.

[4] Shih: Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, 2001, fq.278.

[5] Shih: Muhamed Shukriu, po aty, fq.286.

[6] Shih: Катић, Татјана. “Oсманизовање српског средњовековног града: Призрен у XV и XVI веку“. Београд,  Историјски институт, (у штампи), sipas: Faik Miftari, po aty.

[7] Abib Ahmedi, Theranda – Prizreni ndër shekuj, Prizren, 1996, fq.127; Raif Vırmiça, Camileri Kenti Prizren, pa vend dhe vit të botimit, fq.432.

[8] Shih: Abib Ahmedi, Theranda…, po aty, fq.119.

[9] Shih: Abib Ahmeti, Theranda…, po aty, fq.109.

[10] Shih: Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishitnë, 2001, fq.269.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *