Nuk e shpikën imamët, as sahabët, madje as vetë Pejgamberi a.s., por Natën e Kadrit e përmendi i Madhi Zot në Kur’an dhe e zbriti një kaptinë me emrin ‘El-Kadr’:
1- “Ne e zbritëm Kur’anin në Natën e Kadrit.
2- E ç’të bëri ty të dijsh se ç’është Nata e Kadrit?
3- Nata e Kadrit është më me vlerë se një mijë muaj!
4- Me lejen e Zotit të tyre (në këtë natë) zbresin melekët dhe meleku Xhibrili për secilën çështje.
5- Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” (Kur’ani, El-Kadr, 1-5)
Në këtë Natë filloi hajri për shoqërinë njerëzore, zbritja e Kur’anit.
Në këtë natë bëhet i zbatueshëm plani vjetor i Allahut për fatet njerëzore dhe çdo gjë tjetër në këtë gjithësi.
Fjala ‘kadr’, ka disa kuptime, e një prej tyre është ‘ngushtim’ (et-tadjik), sepse në këtë natë ngushtohet toka e qielli nga prezenca e madhe e melekëve.
Shoku i Pejgamberit a.s., Ubej Ibn Ka’bi, thotë: “Pasha Allahun përveç të cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, Nata e Kadrit gjendet në Ramazan. Pasha Allahun, unë e di se cila natë është ajo. Ajo është nata në të cilën na urdhëroi i Dërguari i Allahut të ngriheshim e të faleshim. Ajo është nata që i paraprin agimit të njëzeteshtatë të Ramazanit. Prej shenjave të saj është lindja e diellit në mëngjes i bardhë e pa rreze.” (Transmeton Muslimi).
Zot na bën prej robëve të mirë, të sinqertë e të devotshëm…!
Orhan Bislimaj
Xhamia ‘Dëshmorët dhe Martirët”, Prizren
5 prill 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *