Ramazani erdhi, a je gati…!
(Dersi i xhumasë)
1.
Deri vonë, në mungesë të mjeteve të informimit, lajmërimi për Ramazan bëhej fizikisht. Njerëzit e lajmëroni njëri tjetrin me axhele, fshati – fshatin, qyteti – qytetin dhe përhapej shumë shpejt.
Mirëpo, kurdo që e merrnin lajmin, menjëherë e fillonin agjërimin, edhe nëse ka qenë mesditë.
Një kushëri i imi (G.B.), Zoti e pastë mëshiruar, e tregonte një rast në bjeshkë, me buzagaz, për një moshatar të tij që ia kajke me hëngër edhe pak, asokohe Ramazani kishte qenë në verë, vitet 1930 – ta: “Kur na thanë se ka hyrë Ramazani, ka qenë pika drekës edhe sa ia nisëm me hëngër bukë. Na të tjerët e lamë menjëherë, por Destani ish’ pas untu, i vinte lezet buka, e thojke: “A Ramazan, a?” – i shfrytëzoi edhe ja dy kaqore… (më i mençur, hehe😊).
2.
Sot, askënd nuk e zë në befasi Ramazani. Të gjithë e dimë. Atëherë shtrohet pyetja, a je bërë gati për Ramazanin?
Nuk po flasim për ato ushqimore, pse jo edhe për këto, por për gjendjen emocionale.
Zoti i Madh e ka përmendur në Kur’an ‘qeshjen’ dhe ‘qarjen’ e natyrshme dhe thotë se ato janë mrekulli prej Zotit, andaj janë unike (En-Nexhm, 43).
Ti e di më së miri gjendjen tënde dhe nuk mund të fshehesh para Zotit.
Nëse zemra jote po gëzohet për Ramazanin, mirë i ke punët me imanin, e nëse ka ra mahzun, atëherë, nuk është në rregull.
3.
Në Shqipëri, para disa vitesh e takova një shqiptar, unë me agjërim e me sy të molisur nga tharja e damarëve, e ai pa agjërim, sytë qiqër. Pas një bisede në këmbë, po më thotë: ha more ju muslimanët (fetarët), çka rrini pa bukë e pa ujë 30 ditë kot e kot, hajde tri ditë, por 30 ditë?
Ai kish pas menduar se agjërimi është fontanë dëshirash! Aq shumë i dha zor, sa që thuash se ia ke zënë rrugën. Fatkeqësisht, sikur ai ka edhe të tjerë në Kosovë.
4.
Agjërimi i Muajit të Ramazanit është obligim prej Zotit edhe këtë ibadet e kanë pasur të gjitha ymetet, edhe hazreti Ademi a.s
E kanë pasur, sepse Zoti e ka vendosur shërim për madenin e shpirtit dhe të trupit të njeriut.
Prej teje varet se me çfarë çehre do ta presish. Është mejdan i burrave e burrneshave. Nuk është një ditë, e as një javë, por tridhjetë ditë.
Ai që e mban me taman, a më bash me taman, rrjedhimisht agjërimi shndërrohet në argument se ai njeri ka iman, pasiqë në thelb të tij qëndron motivi për hirë të Zotit, përndryshe nuk mund të përballohet.
Prandaj, populli ynë, kur është betuar në 30 ditë Ramazan, është betuar hakikat…!
Orhan Bislimaj
Xhamia Kurillë, Prizren
8 mars 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *