Dr. Orhan Bislimaj

Prizreni, unanimisht e do rindërtimin e xhamisë në kalanë e Prizrenit – (6)

1) Konsenzuesi ndërkomunal për xhaminë e Kalasë së Prizrenit

Iniciativa Qytetare e Prizrenit (IQP), që u themelua si pasojë e pakënaqësisë ndaj trajtimit të trashëgimisë kulturo-historike të Prizrenit, e veçanërisht xhamisë së Kalasë si çështje aktuale, arriti të bëhet zëri i vërtetë i qytetarëve të Prizrenit. Duke i shërbyer qëllimit themeltar, Iniciativa u fokusua në të drejtën e qytetarit, për ta bërë palë në procedurën e trajtimit të trashëgimisë, e që iu privua nga fillimi. Ideja është që shoqëria jonë, njëherë e përgjithmonë ta kuptojë se, trashëgimia kulturo-historike është e qytetarëve dhe atyre duhet t’u dorëzohet vlerësimi i vendimmarrjes. Më së paku, i takon pushtetit që të vendos monopol në këtë fushë. Qasja e deritanishme e pushtetit, i përngjason praktikës klandestine, që mercenarët i zbatojnë politikat fatkeqe në vendet vendet e nënshtruara. Asgjë më shumë, organet kompetente, duhet të bëjnë inicimin, organizimin dhe monitorimin, me rastin e revitalizimit të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe funksionalizimin e tyre, por vendimi përfundimtar u takon qytetarëve. Fundja, ky është diskursi i mirëfilltë i qasjes ndërkombëtare mbi trashëgiminë kulturo-historike.

Të gjetur përballë këtij revanshimi të pamëshirshëm, Iniciativa Qytetare e përpiloi planin e veprimit, për involvimin e të gjitha kategorive të shoqërisë prizrenase në proces të vendimmarjes. Kështu që, filloi me informimin e publikut, për të vazhduar me peticionin i qytetarëve për rindërtimin e xhamisë. Pastaj, diskutoi me shoqatat dhe subjektet e ndryshme, përfshirë edhe partitë politike. Dhe, krejt në fund, i bëri vizitë Kryetarit të Komunës së Prizrenit si dhe kërkesë me shkrim Asamblesë së Prizrenit, për të përkrahur rindërtimin e xhamisë nëpërmjet votimit.

 

2) Informimi i publikut dhe argumentimi i çështjes

Pas emisioneve të para televizive, të mbajtura më datë 21.10.2016, në TV Prizren dhe TV-BESA, nëpërmjet të cilave ngritëm shqetësimin për padrejtësinë ndaj xhamisë, veçse u ringjallën debatet nëpër ambiente të ndryshme. Kishte të atillë, që nuk kishin dëgjuar fare për xhaminë e Kalasë. Iniciativa, nëpërmjet të disa emisioneve të ardhshme, në nivelin lokal dhe qëndror, pastaj edhe nëpërmjet faqes së hapur në facebook[1], arriti të informojë publikun për anashkalimin e qëllimshëm të xhamisë. Një senzibilizim mjaft gjithëpërfshirës, e realizuan imamët e KBI-së, në ligjëratat e ditës së xhuma, disa javë radhazi. Tani, çdo kush dinte për xhaminë e mohur padrejtësisht.

Gjatë këtij turri informues, Iniciativa Qytetare e Prizrenit, ofroi argumentet për ngritjen e xhamisë dhe sahat kullës në Kalanë e Prizrenit, dhe atë si në vijim:

1) Argumenti i qenësisë (ontologjik). Të gjithë e dinë se xhamia dhe sahat kulla kanë ekzistuar në hapësirën e Kalasë dhe këtë nuk e konteston askush. Ky është argument mbi argumentet, pasiqë për këtë ekzistojnë shumë dokumente dhe fotografi e qarta;

2) Precedenti i rindërtimit në zonën arkeologjike. Disa e kanë kundërshtuar xhaminë, me arsyen se Kalaja është zonë arkeologjike dhe nuk lejohet rindërtimi. Mirëpo, ky pretendim ka rënë poshtë, së paku për hapësirën e Kalasë, pasiqë aty, tashmë janë rindërtuar shumë objekte, që kanë pasur shumë pak gjurmë, dhe ky parim duhet të vlejë edhe për xhaminë, e cila ka gjurmë kategorike;

3) Epërsia kulturo-historike e monumentit. Xhamia dhe sahat kulla janë dy monumente me epërsi emblematike dhe rëndësi të padiskutueshme. Prandaj, është e pa kaputueshme që ato të mos rindërtohet, përderisa në kala janë rindërtuar edhe ahuret e kuajve!?

4) Objektiviteti dhe drejtësia. Anashkalimi i qëllimshëm i xhamisë, konsiston subjektivizmin e pa justifikueshëm ndaj saj, mbi bazën e steriotipeve dhe paragjykimeve fiktive. Organet e Ministrisë duhet vepruar pa anime dhe me drejtësi ndaj të gjitha objekteve, pavarësisht natyrën e tyre dhe, jo sipas ngarkesave subjektive. Për këtë arsye, më lartë kam thënë se për trashëgiminë kulturo-historike duhet të vendosin qytetarët dhe jo ekspertët e as ministria, për t’i ikur subjektivizmit, i cili edhe e shkatërron edhe e tjetërson kulturën, siç po veprohet në raport me xhaminë.

5) Rrënimi nga pushtuesi. Xhamia dhe sahat kulla janë rrënuar nga pushtuesi, dhe jo nga dhëmbi i kohës apo se i kemi zbuluar rastësisht si mbijetoja nën tokë. Nëse, Institucionet e Kosovës i kanë rindërtuar objektet e ndryshme që janë rrënuar gjatë luftës së fundit në vitin 1999, apo se i kanë rindërtuar kishat ortodokse serbe të rrënuara gjatë protestave të 17-18 marsit 2004, atëherë, i njëjti parim, madje a priori duhet të vlejë edhe për këto dy objekte veçse akoma më të rëndësishme. Xhamia, sikurse edhe vetë Kalaja, ka përjetuar dhunën shkatërrimtare nga okupatori serb, prandaj këtë kulturocidi duhet shndërruar në drejtësi.

6) Zhvillimi i turizmit. Kalaja, i posedon të gjitha predispozitat për të qenë një vend turistik unikat. Bile, plani i restaurimit të Kalasë e ka për synim edhe vetë zhvllimin e turizmit. Bazuar dhe në opinionin e qytetarëve, jemi të bindur se revitalizimi i xhamisë dhe sahat kullës, do t’ia shtojnë në mënyrë të padiskutueshme atraksionin Kalasë. Tek e fundit, Kalaja pa xhaminë brenda dhe sahat kullën është gjysmake dhe e deformuar. Pastaj, Prizreni, konsiderohet vend simpatik, pikërisht duke u mbështetur në objektet fetare të trashgimisë kulturo-historike, që i përkasin të njëjtës periudhë kohore dhe, pjesa dërrmuese e tyre janë islame. Në rrethana hipotetike, një Prizren pa këto objekte, do të ishte i pa vlerë.

7) Dëshira e qytetarëve për rindërtimin e xhamisë. Mbi të gjitha, ringritja e xhamisë është dëshirë e qytetarëve. Qytetarët e Prizrenit, që i përkasin besimit islam, në masën dërrmuese, gati 99 %, e duan xhaminë, pasiqë ka qenë aty dhe është pjesë e pandashme e identitetit të tyre. Kjo është vërtetuar me përkrahjen e vazhdueshme, e që më vonë u legjitimua nëpërmjet nënshkrimit të peticionit;

8) Rekonstruimi i xhamisë nuk ka pretendime fetare. Bashkësia Islame, në çdo kërkesë të saj, e ka bërë të qartë, se rindërtimi i xhamisë ka për qëllim kthimin e saj si aset kulturo-historik dhe pjesë përbërëse e mozaikut origjinal të kalasë dhe jo për qëllime fetare, siç po paragjykohet.

9) Dhe, argumente të tjera.

 

3) Përkrahja e qytetarëve nëpërmjet peticionit

Me moton sfiduese “Kalaja është e jona” si një denoncim i injorimit të Ministrisë së Kulturës ndaj qytetarëve, Iniciativa Qytetare e Prizrenit dhe Këshilli i BI-së Prizren, e shpallën të hapur nënshkrimin e peticionit, për të marrë konfirmimin e qytetarëve për rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës. Përkundër motit të ftohtë e me shi dhe ditës së shkurtër, pra, ishte muaji nëntor 2016, peticioni shkoi shumë mirë. Ai ishte i limituar vetëm për qytetarët e Prizrenit dhe mbi moshën tetëmbëdhjetë vjeç.

Foto 1: Nënshkrimi i peticionit nga qytetarët

Duhet theksuar se organizimin e peticionit në terren, e realizuan imamët me ligjëratat e tyre mobilizuese gjatë ditës së xhuma, si dhe muezinët që qëndruan nëpër pikat më të frekuentuara të qytetit. Por, peticionin e kanë ndihmuar edhe shumë qytetarë dhe aktivistë të tjerë. Brenda tri javësh, peticioni arrit deri në 31 mijë nënshkrime, e që nuk mbahet në mend, për kaq shumë nënshkrime brenda një komune për një çështje. Gjithësesi, numri i nënshkrimeve do të shkonte edhe në disa dhjetëra mijëra të tjerë, sikur mos ta ndërprenim për shkak të motit të ftohtë dhe të reshurave atmosferike.

Përgjithësisht, peticioni krijoi një atmosferë gëzimi dhe emocion festiv për xhaminë. Në takimet e rastit, qytetarët, duke u ndjerë të lumtur tregonin se e kanë nëshkruar peticionin. Të gjithë, pa dallim agjitonin dhe e pyetnin njëri – tjetrin: “a e nënshkrove peticionin!?” Pastaj, besimtarët vinin në zyret e KBI – Prizren dhe ofronin ndihmën e parezervë për çfarëdo angazhimi që kishte nevojë. E, dikush u kujdes që ta përkrahë iniciativën edhe nëpërmjet poezisë. Këtë e bëri, poeti nga Prizreni, z. Tyran Spahiu, me poezinë: “Sot, Kalaja klith…!”, prej të cilës po i shkëputim këto vargje, si në vijim:

I.

Vend një i zbrazët ende qëndron,

hutuar është, lodhur nga anashkalimet,

gurëzit janë që shplojnë historinë,

ishte një faltore aty, thojnë atëbotë!

II.

Ngritur janë burrat, heshtjen kërkojnë,

qetësinë e dikurshëm, të shekullit pesëmdhjetë,

ndërtuar ishte xhamia në kala- kështjellën,

atëbotë rrënuar nga ardhacakët e shumtë.

                                         (Tyran Spahiu, Prizren)

E, përtej të gjithave, peticionin e kanë nënshkruar edhe shumë qytetarë të besimit katolik nga Komuna e Prizrenit. Mbase, kjo ka qenë ëmbëlsira e krejt kësaj çështjeje. Kam qenë, i emocionuar, kur një besimtar katolik më erdhi në zyre, në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit dhe më deklaroi se bashkë me disa miqë të tij, e kishte nënshkruar peticioni. Përveç kësaj, ai, më tha se, nëse është e nevojshme ndihma e katolikëve për xhaminë, atëherë na tregoni se jemi në gjendje që mbështetjen t’ua japim edhe publikisht, në të gjithë televizionet e Kosovës. Me kënaqësi kam mbajtur shënim zyrtar për këtë altruizëm si dhe kemi bërë fotografi të përbashkët miqësore. Shumë faleminderit këtyre burrave. Ua kthefshim për të mirë!

 

4) Përkrahja e subjekteve të ndryshme të Prizrenit

Në këtë fazë, ishte e rëndësishme që të njihet nga afër opinioni i subjekteve të ndryshme të Prizrenit. Brenda një kohe optimale, Iniciativa Qytetare e Prizrenit dhe Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, qoftë bashkërisht apo në formacione të ndara, vizituan, po thuajse të gjitha subjektet e shoqërisë prizrenase, duke kërkuar prej tyre përkrahjen e kërkesës për rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës në Kalanë e Prizrenit. Disa prej tyre, nga dëshira e madhe, kanë ardhur direkt në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit, për të dhënë përkrahjen, siç ka qenë Parlamenti studentor dhe disa shoqata kulturore e artisktike, etj. Kështu që, përgjithësisht përkrahje kemi marrë nga: 1) Të gjitha subjeket politike në Prizren; 2) Parlamenti i studentëve të Universitetit Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”; 3) Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK-së, Prizren; 4) Organizata e familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Prizren; 5) Organizata e Invalidëve të luftës së UÇK-së, Prizren; 6) Shoqëria Civile dhe OJQ-të e ndryshme; 7) Shoqatat e ndryshme kulturore, artistike, afariste, arsimore; 8) Intelektualët e ndryshëm, etj.

Në të gjitha takimet e zhvilluara, subjektet e lartëcekura i kanë dhënë MBËSHTETJE, disa edhe përkrahje shumë të fuqishme rindërtimit të xhamisë dhe Sahat Kullës. E rëndëishme është se askush nuk ka qenë kundër!

 

5) Përkrahja e Kryetarit të Komunës së Prizrenit

Pas përkrahjes nga qytetarët dhe subjektet e Prizrenit, tani, radhën e kishte kryetari i Komunës së Prizrenit, i cili akoma nuk ishte prononcuar për xhaminë. Takimi u zhvillua në selinë e Komunës së Prizenit, më datë 05.12.2016, dhe ishte shumë konstruktiv. Pas takimit, Kryetari i Komunës, në prononcimin para mediave, i dha mbështetje të drejtëpërdrejtë rindërtimit të xhamisë, duke thënë se xhamia ka qenë aty dhe duhet t’i kthehet Kalasë. Mund të themi se ishte një përkrahje mjaft e fuqishme dhe cilësore.

 

6) Përkrahja unanime e Asamblesë së Prizrenit

Edhe Asambleja e Prizrenit i dha mbështetje unanime kërkesës për rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës. Nëpërmjet votimit, Asambleja e Prizrenit, në mbledhjen e mbajtur në Prizren, më datë 15.12.2016, mori vendim që të nxjerrë një deklaratë, me të cilën e përkrahë publikisht rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës.[2]

Përkrahja nga Komuna e Prizrenit, përfshirë Kryetarin dhe Asamblenë, si niveli më i lartë i organeve komunale, kishte shumë rëndësi, sidomos për dy arsye:

a) Kryetari dhe asambleistët janë përfaqësues legjitim të popullit, pasiqë janë zgjedhur me votën e lirë, nëpërmjet procesit zgjedhor legal. Për më shumë, të gjithë asamblesitët prezentë, nga të gjitha partitë, i dhanë mbështetje unanime, pa asnjë votë kundër apo abstenim. I lexuar në gjuhën e përfaqësimit, vendimi unanim i Asamblesë, në fakt është vendim i qytetarëve; dhe

b) Kalaja është në zonën e përgjegjësisë së Komunës së Prizrenit. Mbi këtë parim, ky vendim i Legjislativit dhe Ekzekutivit të Prizrenit, praktikisht është determinues ndaj organeve përkatëse të Ministrisë së Kulturës për të lejuar xhaminë, natyrisht pasiqë të plotësohen kushtet dhe të evitohen pengesat.

 

7) Përkrahja nga Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit (KTKP)

Një përkrahje tjetër, gjithashtu shumë cilësore, ka ardhur nga Këshilli për Trashëgiminë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit. Sipas, ligjit nr. 04/l-066 për Qendrën Historike të Prizrenit, ky Këshill është trup këshilldhënëse, përfshirë edhe zonën e Kalasë. Rikonstruimi i xhamisë ka mbështetje ligjore, pasiqë, në nenin 7 të ligjit të përmendur, parashihet mundësia e rindërtimit / rekonstruimit në Zonën e Kalasë.[3] Kështu që, në pajtim me ligjin dhe kompetencat, Këshilli për Trashëgiminë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit, në mbledhjen e datës 16.01.2017, i dha përkrahje unanime kërkesës së Bashkësisë Islame për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit.[4] Dhe, ky vendim i këtij Këshilli, është vula përfundimtare e organeve komunale, për sa i përket përkrahjes për xhaminë. Pas kësaj, organet e Ministrisë së Kulturës, nuk do të duhej të gjenin asnjë arsye për refuzimin e kërkesës.

 

(Punim i botuar në: “Dituria islame”, nr.324, tetor, 2017)

Vijon…!



[2]Shih: Deklarata e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, datë 15 dhjetor 2016, dosja e xhamisë së Kalasë, KBI-Prizren.

[3] Shih: Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, nr. 04/l-066, neni 7, sipas: http://www.kuvendikosoves.org.

[4] Shih: Mendimi i Këshillit për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit për Qendrën Historike (KTK), datë 16 janar 2017, dosja e xhamisë së Kalasë, KBI-Prizren.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *