Nuk kaloi java, e sot e kemi edhe një vrasje tjetër në Pejë, të një gruaje nga bashkëshorti i saj.
Diku kemi gabuar si shoqëri, apo jemi duke gabuar…
Në të kaluarën, mund të themi se ka pasur mungesë dinjiteti për gratë, siç ka pasur edhe për burrat, por vrasje të tyre nuk ka pasur fare ose kanë qenë tepër të rralla.
Nuk ka pasur, sepse ka ekzistuar një rend familjar e shoqëror, mbase uniform.
Me ardhjen e Epokës së Re (1999), kemi dy rrethana që po ndikojnë në shpeshtimin e vrasjeve:
E para: Tranzicioni shoqëror, që është faktori kryesor.
Në këtë trend, shumë bashkëshort apo më mirë të themi shumë familje nuk kanë mundur ta menaxhojnë veten, në mes gjendjes faktike të mendësisë kosovare, ku bëjnë pjesë kultura, traditat, zakonet, patriarkaliteti, etj, në njërën anë, dhe ambicjeve të akëcilit bashkëshort, për një jetesë ndryshe, paçka edhe përtej normave zakonore e traditave familjare.
(Pjesërisht, për shkak të këtij konfuzioni po ndodh edhe migrimi nga Kosova).
E dyta: Trimërimi i parakohshëm i grave.
Të gjithë jemi duke e dënuar dhunën, por edhe me gjithë ashpërsimin e masave ndaj burrave vrasës, përsëri kemi vrasje, madje edhe më shumë!?
Kemi, e do të kemi edhe në të ardhmen, sepse vrasësit nuk janë duke u transformuar.
Vrasjet do të ndalen atëherë kur burrat do të ndryshojnë, e jo kur gratë nxitojnë. Ky trimërimi i parakohshëm, mbase është duke u bërë dëm atyre.
Teoria na mëson se dukuritë negative parandalohen përmes vetëdijësimit e jo vetëm përmes ndëshkimit.
Për këtë arsye, transformimi i njerëzve apo shoqërive është gjëja më komplekse dhe vazhdon deri në dy apo tri gjenerata.
Ta zëmë, brezi paraprak kanë më shumë mbetje komuniste se sa brezi ynë, e brezi i ardhshëm do të kenë akoma më pak.
Fundja, edhe Kosova i ka ligjet si të BE-së, por ato nuk zbatohen, apo të themi nuk përfillen siç përfillën në vendet e përparuara, për të njëjtat arsye për të cilat po flasim, qoftë për mungesë të mekanizmave efikas shtetëror apo mungesë të vetëdijësimit shoqëror.
Prandaj, para se të ‘trimërohen’ gratë me deklarata publike, duhet vetëdijësuar burrat, përmes një procesi ndërveprimi, që fillon nga bankat shkollore.
Orhan Bislimaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *