Mos i nxitni gratë për bojkot, se i morët n’qafë…!
(Dersi i xhumasë)
1.
Dikur ishte problem që gruaja të dalë vetën nga shtëpija, ajo duhej ta merrte dikë patjetër.
Po ashtu, ishte tabu temë punësimi i gruas.
Pastaj, sipas zakonit burri ecte disa metra përpara, bile me pas pa dikë dorëpërdore me gruan, e bënin kijamet, etj.
Megjithatë, secila pikë e ka pasur logjikën e vet në kohën e aplikimit. Por, këto dhe shumë të tjera janë tejkaluar ndër dekada, në proporcion me hapjen dhe zhvillimin e shoqërisë.
Për shembull, dikur ka qenë akt patriotik brohoritja ‘Kosova Republikë’, por sot ta bësh këtë në shesh, të akuzojnë për të çmendur.
Transformimi i shoqërisë i ngjason rrjedhës së ujit, që e ndjek shtratin e vet.
2.
Fatkeqësisht, sot në mesin tonë kanë dalë disa femra, që megjithatë nuk janë imazh i mirë familjar, dhe gjatë gjithë kohës, nga njëri televizion në tjetrin, po u bëjnë thirrje grave për bojkot ndaj burrave, kinse në emër të drejtave.
Fatkeqësisht, ndonjëherë edhe lidershipi shtetëror po u bashkëngjitet. Kjo logjikë e nxitjes është duke i marrë në qafë shumë gra.
Në vend se t’u thuhet grave ruane familjen me çdo çmim, ato po e bëjnë të kundërtën, mos iu nënshtroni burrit, mos e ngoni burrin, etj, dhe këtu po fillon e keqja.
Vajzave të reja po u thuhet ti vendos për fatin e tënd, mos i dëgjo prindërit, e ato pastaj gabim pas gabimi, shkurorizime, përdhunime, ikje, abortime, mbytje…
3.
Ky trumbetim duhet ndalur, sepse thirrjet e tyre janë për shfrenim të grave, domethënë për prishjen e familjes. Personalisht, kam pasur raste kur burri më është ankuar për gruan e tij, sepse po kërkon që mos t’i përzihet në asgjë, përfshirë edhe atë kur do me dalë ajo dhe me kë të dëshirojë.
Këto raste kanë përfunduar me ndarje të sigurtë.
Jeta bashkëshortore e ka gjuhën e vet dhe është tipike në secilin vend. Ajo mbahet me respect, dashuri, tolerancë, mirëkuptim dhe moral bashkëshortor.
Në disa shoqëri perëndimore, ta zëmë, nuk ka problem nëse një grua i thotë burrit të vet se sonte do të shkoj në ‘diskotekë’ me një shok, në ora 24:00 h, veçse ky çift kurrë nuk plakët, edhe ata e dijnë se janë përkohësisht.
Këtë gjë dhe të tjera që e prekin setrën e kredos bashkëshortore mos e kërkoni në shoqërinë tonë, as sot e as kurrë, sepse bie ndesh me konceptin e bashkëshortësisë sipas traditave tona fetare e kombëtare.
Në rastin e kundërt, i keni futur gratë në grackë me burrat e tyre, e kjo po ndodh, fatkeqësisht.
(Sot, me rekomandim të BIRK-ut, të gjithë imamët kanë ligjëruar kundër dhunës ndaj grave).
Orhan Bislimaj
Xhamia e Re, Lubizhdë
19 prill 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *