Dr. Orhan Bislimaj

Bashkësia Islame pronare e nikoqire e “Lidhjes së Prizrenit”

 

Historianët e studiuesit kanë folur për Lidhjen e Prizrenit, por shumë rrallë apo fare hiq, nuk e kanë përmendur kontributin e Bashkësisë Islame, në këtë projekt të rëndësishëm kombëtar e atdhetar. Ndërsa, dihet se Bashkësia Islame me ylematë e saj, ka qenë ideatore, organizatore e nikoqire e Lidhjes së Prizrenit, sidomos në fazën themeltare të saj.  

 

1. Lidhja u mbajt në xhaminë e Gazi Mehmet Pashës (Bajraklia)

 

Kompleksi aktual i Lidhjes së Prizrenit, që është ngjitur me xhaminë e Bajraklisë, deri vonë ka qenë pjesë e tërësisë së kompleksit “Gazi Mehmet Pasha” në Prizren, i cili përfshinte:  Ders’hanën, që tash njihet si simbol i Lidhjes, Medresenë, Xhaminë, Mauzoleumin, selinë e Këshillit të BI-së, si dhe Hamamin, që gjindet pak më largë. Gazi Mehmet Pasha, në vitin 1573, këtë vatër të dijës e kulturës, e ndërtoi për “sevapë” të tij, e për hirë të Krijuesit, gjithnjë duke synuar shërbimin për popullin. Ai, personalisht, është kujdesur që edhe punët të kryhen me ndershmëri, ashtu siç e kërkon çdo vepër bëmirësie / hajrati. Punëtorët që kanë kryer punimet, duhej të ishin të pastër. Xhemati i Prizrenit, ruajnë një rrëfim interesant, në lidhje me pastërtinë. Transmetohet se, gjatë ndërtimit të xhamisë, e cila kishte filluar e para të ndërtohej, një punëtor, me gjasë mjeshtri kryesor, një ditë nuk doli në punë. Pas interesimit të Gazi Mehmet Pashës, punëtori tregoi se ishte i pa pastër (xhunub), e nuk ka dashur që të punojë me një gjendje të tillë, në një tempull të nisur për riza të Zotit. Ky moment, e inspiroi Gazi Mehmet Pashën, për të pezulluar punimet e xhamisë, ndërsa urdhëroi ndërtimin e hamamit, që gjindet disa dhjetëra metra larg xhamisë, në mënyrë që punëtorët të pastrohen, po edhe të shërbejë për të gjithë qytetarët. Dhe, kështu ndodhi. Në ndërkohë, pranë xhamisë, konsolidohet Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, i cili ka funksionuar edhe më herët, e që asokohe është njohur me emra të ndryshëm, si: “Myfti Daire” “Vakuf”, etj. Po ashtu, aty, ka funksionuar Medreseja e lartë, të cilën e pati mbyllur dhunshëm okupatori serb, më datë 17 mars të vitit 1947, në ora 12 të ditës.

Në këtë rast, kompleksi i Gazi Mehmet Pashës, në tërësinë e tij, ka shërbyer për nevojat e Lidhjes dhe seli e Lidhjes. E që do të thotë se nikoqir i Lidhjes së Prizrenit ka qenë Bashkësia Islame, e cila është kujdesur, për banim, ushqim, organizim e aspekte të tjera logjistike. Ndërsa, në xhami, që sot njihet si xhamia e Gazi Mehmet Pashës apo xhamia e “Bajraklisë”, Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, i ka zhvilluar punimet, prej datës 10 qershor deri më datë 18 qershor, 1878.

Fatkeqësisht, shumë pak historianë, e citojnë faktin se në xhami është mbajtur Lidhja e Prizrenit, apo se Bashkësia Islame ka qenë nikoqire dhe organizatore. Për më keq, librat shkollor, e devijojnë historinë, duke e paraqitur shtëpizën (Ders’hanen) si vend i mbajtjes së Lidhjes!? E, disa të tjerë, janë munduar ta kamuflojnë të vërtetën, duke përmendur sallën e Medresesë së Gazi Mehmet Pashës, si vend i Lidhjes. Po, është e vërtetë, salla dhe klasat e Medresesë kanë shërbyer për aspekte ndihmëse e administrative, por, kuvendi historik i Lidhjes është mbajtur në xhami, sepse, bëhet fjalë për një kuvend, që në disa raste ka numëruar deri në 300 delegatë, e përveç xhamisë, nuk ka ndonjë hapësirë tjetër të përshtatshme për mbledhje të këtilla.

 

1.1. Fatkeqësisht, xhamia e Bajraklisë, nuk gëzon asnjë status të veçantë

 

Edhe pse, xhamia e Gazi Mehmet Pashës (Bajraklia), përmban historinë e lavdishme të kombit, megjithatë, institucionet tona, asnjëherë nuk e kanë vlerësuar në mënyrë meritore. Ajo, fare nuk është në agjendë të vizitave, me rastin e shënimit të përvjetorit të Lidhjes. Pastaj, ajo nuk gëzon asnjë privilegj apo status të veçantë. Vërtet, kjo është hipokrizi e marrëzi politike. Në anën tjetër, të gjithë i gëzohemi faktit, kur institucionet e Kosovës, i garantojnë privilegje apo status të veçantë, disa vendeve apo objekteve, që përmbajnë historinë e re të Kosovës, siç po ndodhë me ato të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për hirë të së vërtetës, tek në vitin 2013, edhe pse me shumë vonesë, Kuvendi Komunal i Prizrenit, ka bërë një hap drejt vlerësimit të xhamisë, së paku me një veprim krejt simbolik. Për herë të parë në histori, me rastin e shënimit të 135 vjetorit të Lidhjes, me vendim unanim të Asamblesë,  Komuna e Prizrenit, më datë 10 Qershror 2013, ka vendosur pllakën në hyrje të xhamisë së Gazi Mehmet Pashës. Në këtë pllakë shkruan: “Këtu, në xhaminë e Bajrakut, me 10 Qershor 1878, u mbajt Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Kjo nuk është asgjë, por megjithatë, është një përpjekje.

Konsiderojmë se Qeveria e Kosovës, Ministria e Kulturës, duhet të ndërmarrin iniciativën për t’i dhënë status të veçantë xhamisë së Gazi Mehmet Pashës. Sepse, edhe vetë Pavarësia e Shqipërisë, në vitin 1912, i ka rrënjët në këtë vend, përkatësisht në kryengritjen e Lidhjes, e cila shënon kthesën e madhe për të ardhmen e shqiptarëve si komb. Prandaj, si e tillë, pa dyshim konsiderohet ndër vendet më emblematike në nivel të trojeve shqiptare.

 

1.2. Kompleksi aktual i Lidhjes, pronë e Bashkësisë Islame deri në vitin 1981

 

Por, ç’e do që, Komuna e Prizrenit, asokohe “Skupština Opštine Prizren”, në vend të vlerësimit të xhamisë së Gazi Mehmet Pashës, ndërmerr veprimet arbitrare për eksproprijimin e kompleksit të Gazi Mehmet Pashës. Me vendimin shpronësues, nr. 03/3-463-30, datë 23.VII.1981, i nënshkruar nga drejtori Feta Vorfaj, Komuna e Prizrenit (SR SRBIJA – SAP KOSOVO, SKUPŠTINA OPŠTINE PRIZREN – Uprava za imovinsko – pravne poslove), ia merr Bashkësisë Islame, pronën ku aktualisht gjindet Kompleksi i Lidhjes, duke e ndarë nga xhamia e Gazi Mehmet Pashës. Në këtë vendim (Rešenje), e që është në gjuhën serbokroate, thuhet: “Bashkësisë Fetare Islame, i eksproprijohen ndërtesat, të cilat gjinden në rrugën IV, Kos.Udarna Brigada, nr. 25, parcella numër 1913, në sipërfaqe prej 1762 m2 dhe parcella nr.1912 në sipërfaqe prej 202 m2, gjithësej në sipërfaqe prej 1964 m2.[1]

Ky vendim, që ka ndodhur në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ka qenë vendim arbitrar dhe përbën një bashkëdyzim të ideve të okupatorit serb dhe disa shqiptarëve lojalë të pushtetit, për abstrahimin e rolit të xhamisë dhe Bashkësisë Islame. Ndryshe, kjo nuk mund të shpjegohet. Në këtë frymë antiislame, historianët e oborrit të pushtetit, e kanë shkruar historinë e Lidhjes në librat shkollor, duke ofruar një variant të pavërtetë apo të mangët rreth saj. Sot, Kompleksin e Lidhjes, në Prizren, e vizitojnë me qindra e mijëra nxënës, nga të gjitha anët e trojeve tona etnike, por asnjëri prej këtyre fëmijëve, nuk e viziton vendin e vërtetë ku është mbajtur Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, pra nuk e vizitojnë xhaminë e Bajraklisë!?[2] Prandaj, kush nuk e ka ditur deri sot, le ta dijë, se Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit, ka qenë pronë e Bashkësisë Islame deri më datë 23.07.1981.

 

2. Raporti i oficerit britanik, viti 1878, për rolin e ylemasë dhe karakterin e Lidhjes

 

Gjithmonë do të themi, se Lidhja e Prizrenit ka qenë një project kombëtar, për unifikimin e katër vilajeteve shqiptare, në një shtet të vetëm, në një Shqipëri, si një garanci për ruajtjen e tokave shqiptare nga copëtimet dhe apetitet gllabëruese të fqinjëve sllavë. Kjo, fare nuk diskutohet! Por, krahas kësaj, gjithmonë do të themi se, në këtë project kombëtar, politic e ushtarak, pra në organizimin dhe realizmin e Lidhjes së Prizrenit, rol mjaft madhor ka pasur Bashkësia Islame. Studiuesit e historianët, e kanë për obligim që ta rikonfirmojnë kontributin e madh, ideor, cilësor e sasior të Bashkësisë Islame, ndërkohë që kurrë nuk e kanë thënë një gjë të tillë. Asnjëherë nuk është thënë se, Lidhjes, që ne e kujtojmë, i ka paraprirë, iniciativa e ylemave të kohës. Por, fatmirësisht këtë e kanë thënë të huajtë. Christine Von Kohli, thotë se shqiptarët e zhgënjyer e të zemëruar krijuan “Komitetin e Muslimanëve të Mirëfilltë”, i cili disa vite më vonë u riemërua me ‘Lidhja e Prizrenit’. Po kjo autore mendon se në librat shkollorë shqiptarë është falsifikuar në frymë nacionaliste karakteri i kësaj Lidhjeje, duke e kaluar në heshtje orinetimin e saj islamik e duke i përqendruar synimet e saj vetëm te kërkesa për një Shqipëri të pavarur.[3] Të njëjtën gjë e pohon edhe Muhamed Pirraku. Sipas tij, Lidhja Shqiptare, e cila nga drejtuesit e saj, quhej ittifak (Lidhja) vepronte në Vilajetin e Kosovës nga fundi i vitit 1877 dhe drejtohej nga haxhi Ymer Efendi Prizreni, i cili edhe e pati hartuar Momerandumin e banorëve të Prizrenit, të 12 majit 1878, drejtuar përfaqësuesve diplomatikë të Fuqive të Mëdha, në Stamboll, ku shprehte hidhërimin se disa pjesë shqiptare, do t’i bashkohen Serbisë, Malit të Zi apo Bullgarisë së re.[4]

Por, akoma më shumë, diplomati e oficeri britanik, i cili, udhëtoi nëpër Kosovë në fund të vitit 1878, në raportin e tij, e sqaron më së miri atë që duam ta themi. Ai thotë: “Kjo lëvizje është më shumë fetare se sa shekullare, asaj i prijnë myftinjtë, ulematë, kadinjtë: unë mendoj se është më se e qartë se Porta dhe Lidhja… tashti janë në marrëdhënie të mira dhe janë duke punuar për arritjen e qëllimit të përbashkët mbrojtjen e provincës.[5]

 

3. Çfarë përmbajtje kishte “Kararnameja” – Statuti i Lidhjes së Prizrenit

 

Karanameja është dokumenti apo më mirë të themi statuti, i cili përmban vendimet e Kuvendit të Lidhjes, të datës 18 qershor 1878 dhe është i përbërë prej 16 pikave. Një model i ngjashëm me deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008. Është interesant se ky tekst, nuk është përpunuar fare nëpër librat shkollor, po edhe shumë pak, në librat e historiografisë shqiptare, me përjashtim të ndonjërit prej tyre, edhe atë pjesërisht. Kam përshtypjen, se kjo ka ndodhur me paramendim, pasiqë, në përmbajtjen e saj, vërehet qartë fryma panislamiste e Lidhjes. Dhe, publikimi i saj, do t’i prishte planet e ideologjive antiislame, çfarëdo qofshin ato, që synonin, me çdo kusht ta paraqesnin Lidhjen si laike e sekulare. Në vazhdim, pa ndërhyrje, po e sjellim “Kararnamenë” e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, datë 18 qershor 1878, të përpunuar nga studiuesi Xhafer Belegu, botuar në vitin 1939:

1) Lidhja e jonë asht formue me qëllim, që të mos njofi asnji qeveri tjeter, përveç se atë të Perandoris ottomane edhe të mbrojë integritetin toksuer duke përdorë të gjitha mjetet.

2) Qëllimi i jonë i naltë asht, me mbrojtë të drejtat e personit të pa-përgjegjshëm  të Madhnis së Ti Sulltanit, Sovranit t’onë.

Na do t’i qujmë anmiq të kombit e t’atdheut gjith ata që na kundërshtojnë dhe prishin qetsin; gjith’ ashtu edhe ata që përpiqen me dobsue auktoritetin e qeveris si dhe bashkpunuesit e ktyne. Në rasë se kta trubullues nuk hekin dorë, do të qiten jasht shtetit.

3) Ata delegatë të krihinave të tjera që dishrojnë me hy në lidhjen t’onë, do t’i pranojmë me gjithë gëzim e do t’i regjistrojmë në listën e antarve të Lidhjes si miq të qeveris e të vendit.

4) Në bazë të ligjit të naltë fetar (sheriatit) do të mbrojnë jetën, pasurin, dhe nderin edhe t’atyne që s’janë muhamedanë, po janë besnikë, baras me t’onat. Do të marrim masa ndeshkimore kundra kryengritësve, duke i dënue sipas fajit.

5) Të gjitha shpenzimet për luftarët që do të mbledhin krahinat do të rregullohen e do të përballohen në bazë të dispozitave të vendimeve që do t’apim.

Fuqiat ndihmëse, t’ardhuna prej së jashtmi, do të pranohen me kënaqsi në kontingentin t’onë.

6) Duke marrë parasyshë gjendjen e Ballkanit, nuk do të pranojmë n’asnji mënyrë që të marshojnë mbrenda tokëve t’ona ushtëri të hueja.

Ne nuk do të njofim me asnji mënyrë Bullgarin dhe as duem t’i ndëgjojmë emnin; edhe Serbia në rasë se nuk na i dorzon me të mirë tokët që na ka shkel, do te dërgojmë kundër sajë fuqi për me i a marrë me pushkë.

Dhe kundër Malit te Zi do të veprojmë po në kët mënyrë.

7) Atyne bashkatdhetarve dhe besnikve të qeveris në Ballakn të cilët kanë me hý në Lidhjen t’onë, do t’ u apim dorën e do të ndihmojmë njani tjetrin si pas rasës e nevojës.

8) Në rasë se nji krahinë, për zbatimin e nji vendimi të Lidhjes, has në kundërshtime, krahinat fqij, në bazë të marrveshtjes, do të shpejtojnë me i ndifë në të kryemit të qëllimit.

9) Cilido që del prej Lidhjes t’onë, Zot na ruej! Cilido që ban spiunazhë, e cilido që vepron mbas qejfit të vet e nuk degjon urdhnat e te parve, do të ndeshkohet me dënim që meriton.

10) Kurë nji vendës i nji krahine të Lidhjes kushdo qoftë e nga çdo fe që t’jetë, kërkon të dali nga Lidhja nuk do të lejohet me shkue as në Serbi as në Mal të Zi. Po në qoftë se shkon, do të njifet spiun e do të dënohet sipas vendime në fuqi.

11) Kushdo prej nesh që ka vû në dispozicion të Lidhës fuqin e ti sipas zotsis, dhe u shmanget detyrime të marruna përsipër e s’u vé vesh ose kundërshton urdhnat ose shpërdoron detyrën ose sillet brutalisht ose ban ndonji çnderim, do të ndëshkohet me nji dënim relative me fajin që ban.

12) Dërgimi i fuqive, thirrja dhe përdorimi i tyne do të regullohen sipas instrukcioneve që janë duke u-përpilue.

13) Për me zbatue kta nene, do t’i epet nji randësi o kujdesje e vaçante korespondencës.

14) Asht e ditun që qeverija nuk do të lejohet me asnji mënyrë me i ndërhy Lidhjes në punët e veta; as Lidhja nuk do t’i trazohet qeverisë në administratë; për ndryshe kjo gjá do të quhet nji cënim i të drejtës së saj.

15) Nji kopje e kti vendimi do t’i paraqitet çdo krahine dhe qyteti.

16) Në bazë të besës së lidhun prej perfaqsusve të burravet të pa-trembun të Shqipnis së Veriut, e asaj te Jugut e të Bosnjes, t’atyne trimave që çkurë se kanë le nuk kanë dijtë tjetër mjeshtëri veç se pushkës dhe që për Shtet, Komb e Atdhe[6] janë kurdoherë gati me derdhë gjakun, kemi zgjedhun Prizrenin për kryeqytet të Lidhjes.

Sikurse qemë të zott me i vu Lidhjes gurin e parë të themelit edhe në t’ardhmen s’kemi me durue nji tirani që shtyp banorët e vendeve t’ona. Bijt t’onë dhe bijt e bijvet t’onë do të jenë besnikë të Lidhjes dhe kush të largohet praj saj do të konsiderohet sikurse ka hek dorë prej muhamedanismës dhe do të mallkohet e do të përbuzet prej nesh.

Na detyrohemi me i ndéjtë besnikë kti vendimi duke dhanë nënshkrimet t’ona. (47 nënshkrime).[7]

 

4. Fryma panislamiste dhe programi i Lidhjes

 

Siç shihet, përveç sheriatit për sistem ligjor, Kararnameja pasqyron lojalitetin ndaj Perandorisë Osmane, si dhe, duket edhe pjesëmarrja e vëllezërve myslimanë nga Bosnja, e që dëshmon se Lidhja përmbante brenda saj edhe aleancën islame, si një antipod kundër pansllavizmit agresiv asokohe, që shtrihej nga fqinjët e afërt e deri te Rusia dhe vendimet pansllaviste të traktatit të Shën Stefanit, 03 mars 1878. Po ashtu, në fund, përmendet “muhamedanizmi”: “dhe kush të largohet praj saj do të konsiderohet sikurse ka hek dorë prej muhamedanismës…” Pra, këto dhe shumë të tjera, tregojnë për orientimin programor të Lidhjes, së paku në fazën e saj themeltare. Por, kjo, nuk e zbeh Lidhjen si një project kombëtar. Sepse, siç konstaton edhe studiuesi Nexhat Ibrahimi: “në fund të fundit, vendimet në Lidhje, paraqisnin reflektim të kohës, rrethanave dhe të nevojave të tyre fetare, kulturore, politike dhe ekonomike, pra jo reflektim të kohës që do të vijë.[8]

Në të vërtetë, Karanameja, në mënyrë tipike, pasqyron antagonizmin në mes aleancës panislamiste, në njërën anë dhe asaj pansllaviste, në anën tjetër, e që pati prekur edhe vilajetet shqiptare. Shqiptarët, sikurse edhe sot, kanë qenë të detyruar për t’u orientuar nga një shtet i fuqishëm. Natyrisht, prirja e natyrshme, në atë kohë, ka qenë drejt Perandorisë Osmane, për shumë arsye, përfshirë ngjashmërinë kulturore, bashkëpunimin politik, strategjik, etj., sikurse që shqiptarët ortodoksë e katolikë kanë ruajtur një simpati për fuqitë e Mëdha, që i përkisnin të së njëjtës fe. Për shembull, për të njëjtat arsye, Pjetër Bogdani, dy shekuj më parë, më saktë në vitin 1689, e kishte mirëpritur okupimin e Kosovës nga austriakët, si një aspiratë e tij fetare, kundër Perandorisë Osmane. Bile, ai e ka ndihmuar direct gjeneralin austriak me prejardhje italiane Eneo Pikolomini, në masakrat e shktarërrimet e tij, kundër myslimanëve.[9] Po ashtu, për të njëjtat arsye, siç citon Evangelos Kofos: “Në ditët e Kongresit të Berlinit, Maratos (një emisar grek) tregon se të gjithë të krishterët (ortodoksë) të Sanxhakut të Gjirokastrës – duke përfshirë ata të qyteteve të Gjirokastrës, Delvinës, Tepelenës dhe Përmetit – refuzuan të nënshkruajnë peticione (kundër Shën Stefanit). Të njëjtin qëndrim kishin mbajtur edhe të krishterët e Sarandës, siç raportonte konsulli grek në këtë qytet.”[10] Pastaj, rasti tjetër me Mirëditën. Edhe pse Kongresi i Berlinit i kishte injoruar kërkesat e shqiptarëve dhe të Lidhjes së Prizrenit, megjithatë, të vetmen çështje që e kishte shqyrtuar ishte ajo e Mirëditës. Në protokollin e 13 të Kongresit të Berlinit, pjesa e dytë, bëhet fjalë për “privilegjet dhe liritë e popullsisë katolike të Mirditës.[11] Pra, janë fakte të pamohueshme.

 

5. Historianët dhe paragjykimet

 

Por, pavarësisht orientimit programor apo më mirë të themi prezencës së elementeve islame, Lidhja e Prizrenit ka pasur synime kombëtare shqiptare. Historianët këtu kanë gabuar rëndë, kur e kanë deformuar të vërtetën e Lidhjes, për shkak të paragjykimeve ideologjike e hipotekave anti islame. Ata, sikur kanë harruar se ylematë shqiptarë, ishin patriot të spikatur dhe në shërbim të çështjes kombëtare, në të gjitha etapat e historisë. Si çdo shqiptarë atdhetar, edhe ata, veçse më shumë, I kanë pasur aspiratat e tyre kombëtare. Në instancë të fundit, Lidhja ka qenë e detyruar të rreshtohet në njërën anë, ose në anën e Perandorisë ose në anën e Fuqive të Mëdha anëtare të Kongresit të Berlinit. Në secilin rast, elementi fetar ka qenë i pa evitueshëm dhe nuk mund të flitej për laicitet. Për këtë arsye, brenda Lidhjes, ka pasur edhe të krishterë, e pjesëmarrja e tyre nuk ishte për arsye fetare, por për arsye kombëtare. Pastaj, se si do të duket shteti i ardhshëm shqiptar, çfarë orientimi do të ketë ai, fetar apo sekular, kjo ka qenë e parëndësishme për ato momente, edhe për faktin se orientimet e shteteve dallojnë nga periudha në periudhë. Pra, orientimi politik ndryshon gjatë kohës. Vetë Shqipëria, pas vitit 1945, ka pasur disa orientime, politike, ushtarake e kulturore. Fryma islame e Lidhjes së Prizrenit, ka treguar orientimin kah Perandoria Islame, por asnjëherë nuk e ka cenuar synimin kombëtar të saj. Përndryshe, me këtë logjikë, do të duhejt t’i gjykonim të gjitha shtetet me orientim fetar, për mungesë të synimeve kombëtare, e kjo logjikë është absurd!?

Prandaj, në këtë kohë kur e kujtojmë Lidhjen, duhet të themi gjërat e vërteta, pa paragjykime e pa ngarkesa ideologjike. Duke rikonfirmuar rolin e Bashkësisë Islame, rolin e ylemave, rolin e xhamisë, pastaj edhe frymën islame të vetë Lidhjes, ne nuk e nënvlerësojmë Lidhjen nga synimet e pastërta kombëtare shqiptare. Përkundrazi, atë e bëjmë origjinale e në konvergjencë me karakteristikat e kohës. Prej pak historianëve, që sa do pak e kanë thënë të  vërtetën objective për Lidhjen, është akademik Ali Hadri: “Kjo Lidhje ka pasur tri programe. Programi i parë dhe i dytë ishin bukur shumë në frymën panislamiste, ndërsa programi i tretë ka qenë shumë më përparimtarë…[12] Por, Xhafer Belegu, që duket se është ndër njohësit më të mirë të burimeve të  kësaj teme, edhe për shkak të afërsisë kohore me kohën e Lidhjes, për verzionin e tretë, që përbëhej prej 19 pikave dhe për “Talimatin”, që përbëhej prej 8 pikave, thotë, se krahas frymës kombëtare, megjithatë vërehet elementi turk (lexo: islam), deri sa përmendet dhe Bosnja.[13] Po ashtu, sipas Belegut, Stambolli e ka përkrahur iniciativën për Lidhjen, që në fillim. Bile, Sulltan Abdyl Hamiti, u shkroi përkrahje kryetarëve të fesë muhamedane, si Ahmet effendi Korenicës, kadiut të Gjakovës, Myderrizit të Prizrenit Ymer Efendiut dhe Myftiut të Dibrës Jonuz Zyhdi Efendiut, dhe u dha urdhër komandantëve ushtarak në Shqipëri, që mos ta pengonin Lidhjen e veprimet e saj.[14]

Prandaj, fryma panislamiste në Lidhjen e Prizrenit, përfundimisht ishte orientimi themeltar i saj.



[1] Dokumenti, nr. 03/3-463-30, datë 23.VII.1981, që gjindet në arkivin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.

[2] Shih: Ramiz Abdyli & Emine Bakalli, Historia 11 (Gjimnazi i shkencave natyrore), Libri Shkollor, Prishtinë, fq.139.

[3] Christine Von Kohl, Shqipëria, Prishtinë, 2006, sipas: Nexhat Ibrahimi, Vepra – 10, Logos-A, Prishtinë, 2009, fq.723.

[4] Shih: Dr. Muhamet Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni – ora, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Sharr, 2003, fq.55.

[5] Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2001, fq.230. Më 1879, konsulli britanik në Shkodër, i përshkroi anëtarët e Lidhjes në Kosovë si ‘myslimanë fanatikë’. Shih, po aty, fq. 422.

[6] Nocionet: “shtet, komb, atdhe”, në disa punime studimore, hasen si përkthim i nocioneve në origjinal: “din, devlet, vatan”. Shih:Nexhat Ibrahimi, Dimensioni islam dhe kombëtar i Lidhjes së Prizrenit më 1878, https://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=1424, data e publikimit dhe citimit:13 qershor 2010; Olsi Jazexhi, Lidhja e Prizrenit, nuk ishte lidhje shqiptare por ishte lidhje islamike, sipas: https://olsijazexhi.ëordpress.com/2018/06/11/lidhja-e-prizrenit-nuk-ishte-lidhje-shqiptare-por-ishte-lidhje-islamike/, data e publikimit dhe citimit: 11.06.2018.

[7] Xhafer Belegu, Lidhja e Prizrenit e veprimet e sajë 1878-1881, Tiranë, 1939, fq.31-33. Teksti është sjellur pa ndërhyrje.

[8] Nexhat Ibrahimi, Vepra – 10, Logos-A, 2009, Prishtinë, fq.714.

[9] Noel Malcomi, po aty, fq. 144 e tutje.

[10] Evangelos Kofos, Greek reaction to the Albanian League of Prizren, Balkan Studies, Vol, 23, 1982, fq.356, sipas: Nexhat Ibrahimi, Vepra – 10, Logos-A, 2009, Prishtinë, fq.718.

[11] Abib Ahmeti, Theranda – Prizreni ndër shekuj, Prizren, 1996, fq.164.

[12] Ali Hadri, Historia e popullit shqiptar, për shkollat e mesme, botimi I tretë I përmirësuar, Prishtinë, 1973, fq.100

[13] Shih: Xhafer Belegu, po aty, fq.40.

[14] Shih: Xhafer Belegu, po aty, fq. 17-18.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *