Edhe meleku i vdekjes u frikësua nga ai…!
(Dersi i xhumasë)
1.
Për shkak të natyrës që e kishte, Pejgamberi a.s. ka pasur respekt të veçantë për shokun e tij, Osmanin, Zoti qoftë i kënaqur me të. Sa herë që vinte ky, Pejgamberi a.s. në shenjë respekti i mblidhte këmbët kur ishte ulur, e që nuk e bënte, ta zëmë, për dy shokët e tjerë tepër të çmuar, Ebu Bekrin apo Omerin.
Kur pyetet për këtë detaj, Pejgamberi a.s. thotë: “Si mos të kem unë konsideratë kur prej tij (Osmanit) turpërohen melekët e Zotit.”
2.
Për shkak të kontributit të tyre për atdheun, disi e ruaj një konsideratë të veçantë për të gjithë luftëtarët.
Sot, e përcollëm për në ahiret edhe një veteran të luftës së UÇK-së, nga fshati Kobajë, Prizren, Nasuf (Xh) Rramanaj, Zoti e mëshiroftë me xhennet.
3.
Është një rrëfim që e kanë cituar shumë dijetarë në librat e tyre.
Allahu e pyeti melekun e vdekjes, a të ka ndodhur me qajt, kur ia ke marr shpirtin ndonjë njeriut.
Meleku përgjigjet: Po, njëherë kam qeshë, njëherë kam qajtë dhe njëherë tjetër jam frikësuar.
– Rasti kur kam qeshë, ka qenë një person duke blerë këpucë dhe i thoshte shitësit m’i bën të forta që më qëndrojnë një vit, në atë moment thotë kam qeshë, dhe ia mora shpirtin para se t’i veshë ato;
– Rasti kur kam qajtë, ka qenë një nënë, të cilës ia mora shpirtin sapo lindi, ndërsa fëmija i saj mbeti në shkretëtirë, i vetëm pa askënd, aty kam qajtë;
– Rasti kur jam frikësuar, ka qenë një dijetar i devotshëm, dhe kur kam shkuar për t’ia marrë shpirtin nuk kam mundur të depërtoj në dhomën e tij nga drita e imanit që dilte, aty jam frikësuar, dhe pastaj e kam kuptuar se ky dijetar kishte qenë ai fëmija që pati mbetur i vetëm në shkretëtirë, pa nënë…
Inshallah bëhemi prej atyre që turpërohen melekët apo që frikësohen…!
Orhan Bislimaj
Xhamia e fsh. Kobajë, Prizren
1 mars 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *