Tri tiparët e familjes së mirë në Kur’an!
(Dersi i xhumasë)
Nuk kishte fëmijë, ishte i moshuar e me pleqëri të thellë, edhe gruan e kishte sterile.
Por, e kishte një brengë se çfarë rrugë do të ndjek rrethi i afërt dhe shoqëria, pas vdekjes së tij.
Ky ishte pejgamberi Zekerija a.s., i cili iu lut Allahut nga thellësia e shpirtit që t’ia dhurojë një evlad, i cili do ta vazhdojë misionin e tij të pejgamberisë, pas vdekjes, dhe gjatë lutjes tha: “…Zoti im, bëje që Ti të jesh i kënaqur me të!” (Merjem, 6)
Allahu ekber! Nuk kërkoi asgjë tjetër, veç razinë e Zotit. E kërkoi razinë, sepse ai person me të cilin Zoti është i kënaqur, nuk mund të jetë ndryshe veçse njeri tepër në dyzen.
Në ajetin në vazhdim (El-Enbija, 90), Allahu thotë se ia pranoi lutjen dhe ia dhuroi Jahjan që e trasoi rrugën e tij dhe në vazhdim na tregon tri vetitë që i kishte ajo familje:
Vetia e parë: Ata nxitonin për punë të mira (hajrate);
Vetia e dytë: Ata iu lutshin Zotit me gjithë shpirt e frikërespekt; dhe
Vetia e tretë: Ata ishin të nënshtruar ndaj urdhërave të Zotit.
Ideja është se krejt familja ishte fetare, prindër e fëmijë. Ajo familje që i ka këto tipare, pra anëtarët e saj, atëherë ajo është ideale, e jo ajo që ne e përkufizojmë sipas vlerësimeve tona.
Krahas dy të parave, kjo vetia e tretë është më inspiruese. Kur thuhet për diçka se është urdhër i Zotit, aty mbarojnë të gjitha fjalët e tjera.
E kundërta kësaj është ajo kur njerëzit fillojnë i bëjnë vërejtje Kur’anit apo urdhërave të Zotit. Nëse ka thënë Zoti për të agjëruar, mos e diskuto më tutje, veç zbatoje; nëse ka thënë duhet falur 5 herë në ditë, mos e diskuto; nëse ka thënë alkooli është haram, mos e diskuto, e kështu me radhë.
Orhan Bislimaj
Mehmet Pasha – Bajrakli, Prizren
22 mars 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *