Dr. Orhan Bislimaj

Përpjekja për vjedhjen e trupit të Pejgamberit a.s., në varr!

Një armiqësi e pazakonshme ka qenë përpjekja për vjedhjen e trupit të Pejgamberit a.s., nga varri i tij në Medinën e ndritshme, gati gjashtë shekuj pas vdekjes. Siç dihet, trupi i Pejgamberit është i pa prishur në varr dhe kjo ka mbështetje në hadithin e vërtetë, ku ai thotë:

إِنَّ مِنْ أَفْضَلِ أَيَّامِكُمْ يَوْمَ الْجُمُعَةِ فِيهِ خُلِقَ آدَمُ وَفِيهِ قُبِضَ وَفِيهِ النَّفْخَةُ وَفِيهِ الصَّعْقَةُ فَأَكْثِرُوا عَلَيَّ مِنْ الصَّلَاةِ فِيهِ فَإِنَّ صَلَاتَكُمْ مَعْرُوضَةٌ عَلَيَّ قَالَ قَالُوا يَا رَسُولَ اللَّهِ وَكَيْفَ تُعْرَضُ صَلَاتُنَا عَلَيْكَ وَقَدْ أَرِمْتَ يَقُولُونَ بَلِيتَ فَقَالَ إِنَّ اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ حَرَّمَ عَلَى الْأَرْضِ أَجْسَادَ الْأَنْبِيَاءِ

“Prej ditëve tuaja më të mira është dita e xhuma, sepse në këtë ditë është krijuar Ademi, në këtë ditë ai ka ndërruar jetë dhe në këtë ditë do t’i fryhet surit / borisë, për të ndodhur Kijameti e ringjallja. Andaj, në ditën e xhuma, dërgoni sa më shumë salavate për mua, sepse ato më shfaqen. Shokë e tij, thanë: O i Dërguari i Allahut, si do të shfaqen ty salavatet tona, gjersa ti do të jesh i vdekur e trupi yt do të bëhet pluhur!? Pejgamberi a.s. tha: Allahu i Madhëruar ia ka ndaluar tokës që t’i tretë trupat e pejgamberëve!”[1]

Armiqtë, duke e ditur këtë gjë, tentuan që ta vjedhin trupin e bekuar të Pejgamberit a.s. në varr. Kjo ka ndodhur në vitin 557 h., nga të krishterët e Evropës përmes dy personave marokienë që u kamufluan si muslimanë të devotshëm.

Por, ç’e do që Allahu e zbuloi skenarin e tyre, përmes ëndrrës që e pa mbreti Nurud-din Muhamed Zenki, në Egjipt, që njihej për drejtësinë e devotshmërinë e tij të madhe. Ai, falte shumë namaz nafile. Një natë, pasi fali namaz nate, e pa në ëndërr Pejgamberin a.s., që bënte me gisht në drejtim të dy personave të bardhë flokëverdhë (رجلين أشْقَرَيْن) dhe kërkoi ndihmë nga mbreti: ‘Më shpëto nga këta dy persona!’

Mbreti u ngrit i trishtuar, fali dy rekate namaz dhe ra në gjum. Përsëri e pa të njëjtën ëndërr. E, kur i ndodhi edhe për herën e tretë, atëherë u ngrit e tha nuk ka hapësirë për gjum. Menjëherë e informoi ministrin e tij, Xhemaludin El-Musili dhe bashkë me 20 shoqëruesë të tjerë, natën u nisën për Medine. Me vete morën shumë pasuri e dhurata, për t’ua shpërndarë medinasve si sadakë.

Në Medinë, mbreti kërkoi që të tubohen të gjithë në shesh, i madh e i vogël, për t’ua dhuruar nga një sadaka. Qëllimi i tij ishte t’i gjejë personat, që i dëftoi Pejgamberi a.s. në ëndërr. Pasiqë nuk i gjeti, mbreti, paksa i shqetësuar, i pyeti se a ka mbetur edhe dikush tjetër pa marrë dhurata? Ata thanë jo. Mbreti, përsër insistoi, shikoni mirë mos është edhe dikush. Atëherë, thanë se janë edhe dy marokienë, por ata janë shumë të pasur, nuk kanë nevojë për asgjë, janë burra të devotshëm, banojnë pranë xhamisë së Pejgamberit a.s. Kjo e gëzoi mbretin pa masë, me shpresë se këta dy persona duhet të jenë ata, për të cilët Pejgamberi a.s. i tha në ëndërr më shpëto prej tyre. Kur i takoi, u bind se i kanë karakteristikat e njëjta.

Mbreti, me vrapë shkoi te vendi ku banonin fare afër varrit të Pejgamberit a.s. dhe gjeti se ata kishin hapur një tunelë nën tokë, nga banesa e tyre dhe gati kishin mbërri te varri i Pejgamberit a.s. Dheun e gërmuar, për çdo ditë e hidhnin në varrezat ‘el-beki’, me kamuflimin se kinse po i bëjnë vizitë varrezave. Dy personat, e pranuan fajësinë për skenarin e vjedhjes dhe treguan se janë të krishterë. Për shkak të këtij krimi në tentativë, mbreti dha udhër për likudimin e tyre. Po ashtu, urdhëroi rrethimin e varrit të Pejgamberit me plumb, duke e siguruar nga çdo mundësi eventuale për vjedhjen apo dëmtimin e tij në të ardhmen. Këtë ngjarje e citojnë shumë historiografë të jetës së Pejgamberit a.s., përfshirë dy më të njohurit, Ibën Ethiri dhe Ibn Halikani.[2]

“All-llahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve (prej armiqve).” (El-Maide, 67)

(pjesë nga një shkrim më i gjatë, me titull: ‘Pejgamberi a.s., nuk mund të nënçmohet nga askush!’)



[1] Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibni Maxheh, me transmetim nga Evs bin Evs. Hadithi është sahih (i saktë). Vërtetojnë Ibni Huzejme, Ibni Hibbani, Hakimi, si dhe Albani.

[2] Shih: Islamweb, Fetva nr.51298, (verzioni elektronik), data e publikimit 20.07.2004, sipas: https://www.islamweb.net/ar/fatwa/51298/  

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *