“Mos fol diçka, për të cilën nesër pendohesh…!”
(Dersi i xhumasë)
1.
Një njeri erdhi dhe i tha: O Pejgamber i Zotit, më këshillo diçka, por mundësisht qartë e shkurt! Pejgamberi a.s. i tha: 1) “Kur të falësh namaz, falu si me qenë namazi i fundit për këtë botë! 2) Mos fol diçka, për të cilën nesër do të ndjesh keqardhje (pendohesh)! 3) Dhe, kurrë mos i lidh shpresat e tua me njerëzit për diçka që ata e kanë në dorë!”
Nëse këto tri fusha njeriu i përmbushë siç duhet, ai e ka përsosur njerëzoren e tij në mënyrë ideale.
2.
Është mjaft inspiruese këshilla e dytë: “Mos fol diçka, për të cilën nesër do të ndjesh keqardhje (pendohesh)”
Populli ynë thotë, “me fjalë e ndreqish, me fjalë e prishish.”
Sipas konceptit islam, gjuha është identitet për anën e brendshme të njeriut, sikurse që fytyra është identitet për anën e jashtme të tij. Nëpërmjet saj, njeriu e tregon karakterin.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Njeriu kur zgjohet në mëngjes, të gjitha gjymtyrët e tij ia falin gjuhës, por i thonë: Frikësoju Zotit për ne, se ti je përfaqësuese e jona, nëse je e drejtë edhe ne jemi të tillë para të tjerëve, e nëse je e shtrembërt edhe ne jemi të tillë.”
3.
Shumë prej njerëzve e fusin veten në telashe për një fjalë goje, prandaj njeriu duhet patur shumë kujdes.
Gjuha, aq sa mund të bëjë dobi, ajo mund të bëjë edhe dëm. Përmes fjalëve njeriu krijon miq dhe përmes saj krijon armiqë. Përmes saj bën sevap dhe përmes saj bën gjynah.
Pejgamberit a.s.:
“Allahu ia ka falur ymmetit tim atë që e flasin në vete, përderisa nuk e flasin publikisht dhe nuk e veprojnë.”
4.
Populli jonë ruan shumë proverbe kuptimplote për fjalën:
“Fjala nuk ka peshë, por vret më shumë se plumbi!”
“Dy herë mendoje, një herë fole!
“Plaga shërohet, por fjala e hidhur kurrë s’harrohet.”
“Njeriu është zotëri i fjalëve që nuk i ka shqiptuar, por është rob i atyre fjalëve që i kanë shpëtuar.” (proverb arab)
“Katër gjëra nuk mund të kthehen: fjala e thënë, shigjeta e hedhur, jeta e kaluar dhe rasti i humbur.” (proverb arab)
Orhan Bislimaj
Xhamia ‘Mehmed Pasha (Bajraklia)’, Prizren
10 maj 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *