Çka tha Abbasi dhe Hassan bin Thabit për Pejgamberin a.s.?

(Dersi i xhumasë)

1.

Fjala ‘mevlud’, si nocion gjuhësor nënkupton lindjen e Muhamedit a.s., kurse ‘mevludi’ si vepër letrare është një poemë në vargje, që poetët ia kanë dedikuar Muhamedit a.s. dhe nga ky aspekt mevludet janë të shumta.

Poezia është art në vete, dhe njeriu kënaqet kur e lexon po qoftë edhe një të thjesht, e paramendo kur e lexojmë një të tillë, ku temë është Muhamedi a.s.

Për shembull, nëse e lexojmë poetin martir, Havzi Nela (1934-1988), të cilin komunistët e varën në sheshin e Kuksit, më 10 gusht 1988, e kuptojmë shpirtin luftarak kundër tiranisë. Ai e shkroi poezinë e famshme nga burgu, “Kur të vdes”, ku po i sjellim disa vargje:

Thoni: Ai e deshi jetën,

Jeta n’vuetje e dërmoi.

Thoni se ka mbrojtë të drejtën,

Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: Desh, kërkoi lirinë,

Si skifter në fluturim,

Provoi prangat, t’errtë qelinë,

Për të mjerët lëshoi kushtrim.

Thoni: Dritë ai kërkoi,

E vetë dritë nuk pa me sy

Thoni: Për njerëzinë këndoi,

E për vete mbajti zi.

Thoni se e qërroi terri

Thoni: Dielli nuk u ngrohu.

Thoni se e trishtoi tmerri

E të shtypunit i tha: “Çohu!”

2.

Që në kohën e sahabëve, pra në të gjallë të Pejgamberit a.s., gara për t’i thurur vargje Pejgamberit a.s. ka qenë evidente, e arabët kanë qenë të shquar në këtë fushë.

Me një rast, axha i tij, Abbasi (r.a.), pasi mori leje nga Pejgamberi a.s. ia thuri këtë poezi mevludi:

وَأَنْتَ لَمَّا وُلِدْتَ أَشْرَقَتِ الْأَرْضُ وَضَاءَتْ بِنُورِكَ الْأُفُقُ

فَنَحْنُ فِي ذَلِكَ الضِّيَاءِ وَفِي النُّورِ وَسُبْلِ الرَّشَادِ نَخْتَرِقُ

“E, ti kur u linde, toka shkëlqeu dhe drita jote e ndriçoi horizontin;

Ne jemi në atë dritë, dhe falë atij nurit e shtigjeve të udhëzimit tënd, ne depërtojmë.”

Njësoj si Abbasi, vargje mevludi i ka thurur edhe sahabiu e poeti i madh, Hassan bin Thabit (r.a.):

أَغَرُّ عليه للنبوّة خاتَمٌ-

من الله مشهود يَلُوحُ ويُشْهَدُ

وضَمَّ الإلٰهُ اِسمَ النبيِّ إلى اِسمهِ –

إذا قال في الخَمْسِ المُؤذِّنُ أَشْهدُ

– Ai është më meritori për vulën e pejgamberisë;

– Allahu dëshmoi për të, siç shihet dhe dëshmohet nga njerëzit;

– Andaj, emrin e tij, Allahu e vendosi krahas emrit të Vet;

– Gjersa Muezini i xhamisë, pesë herë në ditë, thotë ‘esh’hed’.

Si mevludi i Abbasit, ashtu edhe mevludi i Hassanit, kanë edhe vargje të tjera.

3.

Dhe, sa herë vjen Ditëlindja e Muhamedit a.s., disa persona të koklavitur çohen e folin kundër mevludit, qoftë si poemë letrare apo manifestim, dhe kjo është një dukuri tepër e keqe.

Në vend se të gëzohemi, e ta vendosim në fokus të ndjenjave tona dashurinë ndaj Pejgamberit a.s., së paku në datëlindjen e tij, ata luftojnë për të kundërtën.

Në vend se Muaji i Mevludit ta dominojë zëshëm hapësirën publike, ata duan që ky muaj të kalojë si në ditë zie. Vërtet, instinkt tragjik!

Është krej muhabet tjetër, se a duhet kënduar mevlud në ceremoni varrimi apo vetëm në ceremoni gëzimi. Fundja, për këtë ka hapësirë diskutimi, por assesi për mevludin si poemë.

Orhan Bislimaj

Xhamia ‘Mbret’, Prizren

6 tetor 2023

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *