(Dersi i xhumasë)

Janë 4 arsye përse e dua këtë 1 shtator 2023, kurse atë më interesantën po e lë në fund:

1) Fillimi i vitit shkollor. Gjithmonë kjo datë disi për mua ka sjellur një optimizëm pas zallamahisë së verës.

Rrugët e sheshet tona gjallërohen me zërin e fëmijëve, jeta normalizohet, nxehti i madh kalon, fillon koha e punës dhe aktiviteteve.

Shumë urime nxënësve, posaçërisht atyre që sivjet e nisin klasën e parë!

2) Epopeja e Vërrinit. Me datë 1-4 shtator 1998, UÇK zhvilloi betejë kundër forcave serbe, në rajonin e Vërrinit të Prizrenit. Sot morëm pjesë në përvjetorin e 25-të

Kjo betejë dhe të tjerat simotra të saj, na kujtojnë heroizimin e plejadës së luftëtarëve që i dolën zot atdheut.

Nëse për asgjë tjetër, mjafton ta kujtojmë guximin e luftëtarëve për të luftuar kundër një ushtrie barbare e tepër të fuqishme.

3) Namazi i Xhumasë. Sivjet ka rastisur që në këtë datë të jetë edhe dita e xhuma, e Pejgamberi a.s. ka thënë se dita më e mirë në të cilën ka lindur Dielli është Dita e Xhuma.

Edhe pse fshati Lez i Prizrenit, pas luftës është boshatisur, megjithatë sot, bashkë me qytetarë që kishin ardhur për ta kujtuar Epopenë e Vërrinit, e falëm xhumanë në xhaminë e Lezit dhe prej hytbes e lexuam një Fatiha të përbashkët për shpirtin e dëshmorëve.

Pas namazit, morëm pjesë në turnirin tradicional të Pehlivanave të Kosovës, që organizohet në këtë fshat në kuadër të shënimit të Epopesë së Vërrinit.

4) E ajo më interesantja që e përmenda më lartë, në këtë ditë është Ditëlindja ime😊. Kjo ditë ma kujton ardhjen time në këtë botë.

Vitet janë si faqet e librit, inshallah faqja e radhës ka rezervuar gjëra akoma më interesante.

Zoti i Madh e përmend në Kur’an lutjen që e pati thënë Isai a.s.:

“Selami (shpëtimi prej Allahut) qoftë mbi mua në ditën kur u linda, në ditën kur do të vdes dhe në ditën kur do të ringjallëm në ahiret!” (Merjem, 33)

Orhan Bislimaj

1 shtator 2023

Lez, Prizren

Për më shumë kliko këtu:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *