Çka tha Allahu për ata që iu përgjigjën ezanit…!

Edhe pak për ezanin!

Pejgamberi a.s., pasi kaloi në Medinë, Allahu ia bëri obligim muslimanëve namazin e xhumasë.

I Madhi Zot tha në Kur’an:

“O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ECNI shpejt për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, falnie namazin), e LINI shitblerjen, kjo është më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.” (Kur’ani, El-xhuma, 9)

Asokohe, njerëzit janë orientuar vetëm me thirrjen e ezanit nga muezini. Sot, kemi edhe mjete të tjera, elhamdulilah.  

Por, ajo që është me rëndësi, muslimanët e kuptuan saktë urdhërinë e Allahut, “ecni shpejt për aty ku përmendet All-llahu, e lini shitblerjen”.  Ky urdhër, e ka bërë haram çdo punë tjetër të dynjasë pas ezanit të xhumasë.

Në këtë kuptim, komentatorët e Kur’anit, sjellin rastin e dy personave nga koha e Pejgamberit a.s., që kanë mbajtur qëndrim të jashtëzakonshëm në respektimin e ezanit.

Njëri ka qenë shitës, në momentin që e ka dëgjuar thirrjen e ezanit, n’dakik e ka lënë gjësendit, (sikur kur shtangitet njeriu) asnjë veprim tjetër nuk e ka bërë. Nëse ka qenë duke peshuar, e ka lënë n’peshore, e nëse ai gjësend ka qenë në tokë, e ka lënë aty;

Ndërsa tjetri ka qenë farkëtar i shpatave për tregti. Ky, nëse ezani ia ka zënë çekiçin mbi kudhër, aty e ka lënë, e nëse ia ka zënë në dorë lartë mbi shpatulla, e ka gjuajtur çekiçin pas shpine.

Pra, nuk kanë dashur të bëjnë asnjë gjysmë veprimi tjetër të dynjasë, nga frika se mos po e thyejnë urdhërin e Zotit të Madhërishëm. Subhanallah!

E, si vlerësim për sinqeritetin e këtyre, Allahu e zbriti ajetin në vijim:

“Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregëtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet.” (Nur:37)

Prandaj, kur thirrë ezani i xhumasë, vrap e n’xhami, sepse çdo punë tjetër është haram! E pas namazit, Allahu ka thënë, kërkone bereqetin e Tij!

Zot i Madh, n’dorën Tënde…!

 

Dr. Orhan Bislimaj

Prizren, 14 Prill 2020

(Nga karantina, #Covid-19)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *