Dr. Orhan Bislimaj

COVID-19 NUK ËSHTË MURTAJË – (3)

1. Hyrje

Tashmë pandemia Covid-19 është bërë objekt i debateve e diskutimeve publike të përditshme. Përveç atyre mjekësore, studiuesit u fokusuan edhe në analizimin e saj nga aspekti metafizik. Të krishterët këtë çështje e parashtruan në kontekst të së ashtuquajturës ‘murtajë biblike’, ndërsa myslimanët në prizmin e haditheve të Pejgamberit a.s., që kanë të bëjnë me murtajën. Poenta është e njëjtë, a mund të jetë pandemia Covid – 19 një murtajë e kohës sonë?[1]

 

2. Karakteristikat e murtajës

Duke marrë për bazë përkufizimet e bëra mbi murtajën[2], mund të veçojmë disa prej karakteristikave kryesore të saj:

1) Murtaja është sëmundje e gjitarëve. Fillimisht paraqitet te brejtësit, siç janë minjtë dhe përmes pleshtave transmetohet tek njerëzit. Murtaja apo vdekja e zezë, e vitit  1346 – 1353, që shkatërroi Evropën, Afrikën e Azinë dhe la mbi 200 milionë të vdekur, ishte përhapur përmes minjve e pleshtave.

2) Bakteri që e shkakton murtajën quhet ‘Yersinia pestis’. Emrin e mori nga bakteriologu francez-zviceran Alexandre Yersen, i cili në vitin 1894 zbuloi se murtaja shkaktohet nga një enterobakter zoonotik specifik.[3] Ky bakter, në trupin e njeriut shfaqet kryesisht në formën ‘bubonike’ – infeksion i nyjeve limfatike apo paraqitje e lungave që çelin plagë. Por, ka raste kur shfaqet edhe në formë pneumonike  – infeksion i ashpër në mushkëri dhe septikemike – infeksion i ashpër në gjak, ashtu që lëkura dhe indet e tjera mund të bëhen të zeza, si dhe të rrjedh gjak nga goja, hunda ose anusi.[4] Shkencëtarët e fushës thonë se ky bakter përmban delikatesa të rrezikshme, edhe për faktin se në patogjenezën e infeksionit marrin pjesë shumë faktorë.[5]

3) Përhapja e shpejtë. Pas rënies së saj, murtaja e infekton apo e prish ajrin, dhe nëpërmjet tij i shkatërron karakteret e njerëzve dhe trupat e tyre.[6] Në këtë kontekst duhet kuptuar hadithin e Pejgamberit a.s., që ka udhëzuar që të mos hymë në vendin ku ka rënë murtaja: “Nëse dëgjoni se në një vend ka rënë murtaja, mos hyni aty, e nëse ka ra aty ku jeni, atëherë mos ikni prej aty.”[7]

4) Lungat apo xhungat. Si veçori kryesore e murtajës janë lungat e ënjtura, që dalin në pjesë të ndryshme të trupit, bazuar në hadithe të Pejgamberit a.s.: “Ajo është një lungë e enjtur, si gunga e devesë, që del pas veshit dhe nën sqetull.”[8] Këto lunga shumë shpejt çahen, krijojnë plagë të dhembshme dhe rrjedhimisht shkaktojnë edhe vdekjen.[9]

5) Vdekjeprurëse. Murtaja është shumë vrasëse. Po ashtu, është gjithëpërfshirëse për të gjitha grupmoshat. Aktualisht, akoma nuk ka ndonjë vaksinë për parandalimin e infektimit dhe nuk pritet që të jetë në dispozicion në një të ardhme të afërt. E vetmja formë e mbrojtjes është distanca dhe evitimi i çdo kontakti me persona, kafshë, insekte apo materiale të infektuara.[10]

 

3. Shkaktarët e murtajës

Në parim, të gjithë dijetarët islamë pajtohen se shkaktari kryesor i murtajës është ‘ndyrësia’. Kjo ndyrësi mund të jetë dy sosh:

1) Nga aspekti i papastërtisë lëndore. Toksinat, ndyrësitë, fëlliqësirat dhe ajëri i pashëndetshëm janë prej shkaktarëve kryesor fizik të murtajës. Ajëri bëhet i pashëndetshëm nga shumë faktorë. Ndotet me substanca apo materiale të pista, në çfarëdo periudhe të vitit, ndonëse përhapet më tepër nga fundi i verës dhe në vjeshtë. Në vjeshtë, ajëri zakonisht është i ftohtë dhe kështu sekrecionet e papjekura, të grumbulluara gjatë verës, nxehen dhe pastaj fillojnë të prishene të kalbëzohen, duke shkaktuar pezmatime. Pikërisht në këtë gjendje, trupi është i kapshëm ndaj sëmundjeve.[11]

Po ashtu, në shumë burime e gjejmë se murtaja ka rënë në kohë luftrash, si pasojë e prishjes së kufomave. Për shembull, gjenerali i austriakëve, Eneo Pikolomini që erdhi nga Shkupi me ushtri dhe e invadoi Prizrenin në vitit 1689, ka vdekur nga murtaja. Bashkë me të vdiq edhe Pjeter Bogdani. Asokohe, kishte luftra të përgjakshme.

2) Nga aspekti i papastërtisë kuptimore – imoraliteti. Të gjithë dijetarët pajtohen se murtaja është produkt edhe i ndyrësive të imoralitetit. Në një hadith që e transmeton Abdullah ibn Omeri, Pejgamberi a.s., ka thënë:

لم تظهر الفاحشة في قوم قطُّ حتى يعلنوا بها إلا فشا فيهم الطاعون والأوجاع التي لم تكن في أسلافهم الذين مضوا

Nëse në një popull, përhapet imoraliteti (në të gjitha variantët e tij) publikisht, atëherë ai do të goditet gjithësesi me murtajë dhe uri të ndryshme, e që nuk kanë qenë te popujt e tjerë para tyre.[12]

Ky hadith dhe plotë të tjerë vërtetojnë paraqitjen e sëmundjeve për shkak të veseve amorale. Nuk është për qëllim vetëm si masë ndëshkimore prej Krijuesit, por si një pasojë që shkaktohet nga thyerja e ligjeve të natyrshme. Ngase, dihotomia e njeriut, pra fizikja dhe shpirtërorja, manifestohen dhe funksionojnë në një mënyrë ndërveprimi. Shëndoshmëria e tyre është evidente aq sa i përmbahen atyre rregullave ontologjike që i ka vendosur Krijuesi në gjithësi, si predispozita. Për shembull, nëse organizmit tonë i ofrojmë karburant, natyrisht se kemi thyer ligjet e aplikueshme. Njësoj ndodh edhe kur shpirtin tonë e ngarkojmë me imoralitet. Në cilindo rast, devijimi nga korniza e asaj që e ka përcaktuar Krijuesi, cilësohet si e panatyrshme dhe shkakton incident. Edhe dielli, po të dalë nga orbita e tij, shkakton çrregullim në gjithësi.

Në këtë kuptim, përplasja amorale e njeriut me ligjet lineare të gjithësisë, mbase prodhon situata të pa parshikushme, që shpërfaqen në sëmundje, pandemi e deri te të këqijat e tjera, e për të cilat Krijuesi i gjithësisë thotë në Kur’an se janë pasojë e vetë të bëmave të njeriut: “Për shkak të veprave (të këqia) të njerëzve, janë shaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të kësaj të keqeje që e bënë, ashtu që tërhiqen (nga të këqijat).” (Er-Rrum, 41).

Madje, hipotezat që e ndërlidhin pandeminë Covid-19, në një murtajë të kohës sonë, më shumë e patën parasysh këtë aspekt të saj, si një shkundje prej Perëndisë, për shkak të devijimeve nga ligjet e natyrshme.[13]

Prandaj, feja islame nëpërmjet normave fetare, ritualeve të ndryshme i kushton shumë rëndësi pastrimit nga ndyrësitë. Për shembull abdesti nuk është vetëm pastërti e gjymtyrëve, por mbi të gjitha sublimim kategorik i pastërtisë shpirtërore kundrejt ndyrësive amorale. Bile, mund të themi se ky është thelbi i abdestit. Për ironi, sot arma kryesore kundër Covid-19, është pikërisht pastërtia dhe mbrojtja nga ndyrësitë.

 

4. Shkaktarët metafizikë të murtajës

Por, ç’e do që një pjesë e dijetarëve islamë, mendojnë se shkaktarët e vërtetë të murtajës duhet kërkuar në taborin shpirtëror e metafizik. Sipas tyre, simptomat e jashtme të saj, nuk janë vetë murtaja. Ibën Kajjim El-Xhevzij, duke ndërlidhur kuptimin e disa haditheve të Pejgamberit a.s., thotë se nocioni murtajë përdoret edhe për shkaqet e saj që mund të jenë: a) Një mbetje nga dënimi që i pati goditur Beni Israilët[14]; b) Pasojë nga goditja e brendshme e xhinëve; ose c) Pasojë e një mallkimi që e ka bërë ndonjëri prej pejgamberëve.[15]

Sipas El-Xhevzijut, ndikimi i xhinëve në realitetin tokësor dhe në shpirtrat e njerëzve, është e vërtetë e padiskutueshme. Pejgamberët na kanë treguar ne, për çështjet e së padukshmes. Edhe mjekët nuk mund t’i refuzojnë shkaqet metafizike. Sepse, simptomat fizike, që janë objekt i studimit nga ata, nuk u dëshmojnë atyre se murtaja nuk ka asnjë lidhje me shpirtin. E vërteta është se ka një lidhje mes shpirtit dhe vuajtjeve të trupit që shkaktohen nga sëmundjet, e në fund nga vetë vdekja.

Prandaj, ndikimin e shpirtërave të këqij, xhinëve (el-ervahush-shejtanijjetu) në natyrën njerëzore, në sëmundjet e saj, madje edhe në shkaktimin e vdekjes, e mohon veçse ai që ka padituri të thellë rreth çështjes së shpirtrave. Allahu i Lartësuar mund t’u lejojë këtyre shpirtërave, që të ndikojnë mbi trupat e njerëzve, duke shkaktuar sëmundje epidemike dhe prishur ajërin, ashtu sikurse përmes disa materialeve (që i përdorin magjistarët) ata arrijnë t’i shkaktojnë njerëzve vuajtje e komplikime shpirtërore.[16]

Në anën tjetër, El-Xhevziju thotë se ekzistojnë edhe faktorët, të cilët e pengojnë veprimin e këtyre forcave të këqija, siç janë dhikri (përkujtimi i Allahut), duatë, përgjërimi, përulja, sadakaja, leximi i Kur’anit e punë të tjera të mira. Gjatë kryerjes së këtyre veprave të mira, zbresin shpirtrat e mirë, melekët, të cilët i mposhtin dhe dëbojnë shpirtrat e këqij (xhindët), duke larguar të ligën dhe ndikimin e tyre negativ. [17]

Edhe më tej, ata që ndajnë këtë qëndrim, murtajën e kufizojnë drejtpërdrejt si një prekje e brendshme prej xhinëve. Pra, sipas tyre ‘murtaja është goditje prej xhinëve’, dhe e marrin si referencë hadithin me transmetim nga Ebu Musa el-Esh’arij r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë:

عن أبي موسى الأشعري رضي الله عنه قال قال رسول الله صلى الله عليه وسلم : ” فناء أمتي بالطعن والطاعون فقيل يا رسول الله هذا الطعن قد عرفناه فما الطاعون قال وخز أعدائكم من الجن وفي كل شهادة “

“Do të përjetojë ymeti im të këqija prej ‘et-tanu’  dhe ‘et-taunu’ – murtaja. I është thënë: O i Dërguar i Zotit, këtë ‘et-tanu’ (sulm i brendshëm prej xhindëve) veçse po e dijmë, por çfarë është ‘et-taun’ – murtaja’? Tha: “Ajo është shpërfaqje e jashtme e goditjes së armiqëve tuaj nga xhindët dhe në secilën prej tyre ka shehidllëk për besimtarin.[18]

Ata, këmbëngulin se kjo nuk bie në kundërshtim me teorinë mjekësore mbi murtajën. Ngase, simptomat e saj, çfarëdo qofshin ato, mund të ndodhin nga një goditje e brendshme, që shkakton substanca toksike (helmuese). Fundja, mjekëve nuk u takon ta thonë një gjë të tillë, pasi që sulmet e xhinëve nuk mund të vërtetohen nga arsyeja, por vetëm nga shpallja. Për më shumë, sipas praktikës së njohur, murtaja nuk shfaqet vetëm në vende me ambient të ndytë, por edhe gjatë stinëve me ajër të pastër dhe në vende me ujë të shëndetshëm. Në rastin e kundërt, sikur të ishte produkt i ajërit të prishur apo ndyrësive lëndore, atëherë ajo do të duhej të ishte prezente gjatë gjithë kohës në tokë, pasiqë ajër të ndotur ka vazhdimisht, sa në njërin vend aq në tjetrin.[19]

Pavarësisht të vërtetës, që e di vetëm i Madhi Zot, megjithatë, ky perceptim, sikur reflekton atë përfytyrimin e frikshëm të njerëzve mbi murtajën. Ekziston në popull një opinion se, murtaja është një sëmundje, apo një lloj ‘shitimi’ prej fuqive të errëta, prej shpirtërave të këqij, si një produkt i lugetërve apo dhampirit, andaj edhe nuk mund të shpëtohet prej saj. Kur dikush e ka nemitur dikë, i ka thënë ‘të marrtë murtaja’, njësoj sikur ‘të hëngtë dreqi’, domethënë vdekja e sigurtë. Pra, presupozohet si një fatkeqësi natyrore, që nuk mund të ndalet e që nuk mund të iket prej saj. Kam bindjen se me këtë logjikë, njerëzit hezitojnë ta publikojnë infektimin edhe me virusin Covid-19, gjithnjë nga pikëpyetjet që ruajnë në mendjet e tyre, për dallim që nuk hezitojnë t’i publikojnë sëmundjet e tjera.

 

5. Covid-19 nuk është murtajë!

Bazuar në atë që është thënë më lartë, bazuar në argumentet fetare e shkencore, mund të konstatojmë se pandemia Covid-19 nuk është murtajë. Ndërmjet tyre ekzistojnë dallime e veçori për nga aspekti i shkaktarëve, simptomave dhe përmbajtjes, si në vijim:

1) Murtaja është prej bakteries të quajtur ‘Yersinia pestis’, ndërsa Covid-19 është prej virusit ‘corona’. Këto dyja janë dy familje krejtësisht të ndara e të ndryshme.[20] ‘Bakteri’, është organizëm shumë i vogël njëqelizor, që gjendet në ujë, në ajër, në tokë e në qenie të gjalla dhe kalbëzon e tharbëton lëndët organike ose shkakton sëmundje të ndryshme. Ndërsa, ‘virusi’ është mikroorganizmi më i vogël, që njihet deri më sot, i cili rritet e zhvillohet vetëm në qeniet e gjalla dhe shkakton sëmundje ngjitëse.[21] Siç shihet dallimi është substancial. Bakteri është më gjithëpërfshirës, mbijeton edhe në gjësende të ngurta ndërsa virusi mbijeton vetëm në organizma të gjallë me gjak.

2) Murtaja ka simptoma ‘bubonike’ – infeksion i nyjeve limfatike apo paraqitje e lungave që çelin plagë, ndërsa Covid-19 nuk ka simptoma të tilla, madje në asnjë rast. Pejgamberi a.s., kur është pyetur për murtajën ka thënë: “Ajo është një lungë e ënjtur, si gunga e devesë.” (Transmeton Ahmedi). Dijetarët islamë thonë se parim i ‘murtajës’ janë xhungat e jashtme në trup. Simptomat pneumonike dhe septikemike janë më të rralla.

3) Murtaja nuk do të përhapet në Meke dhe Medine, ndërsa Covid-19 është përhapur në këto dy vende. Sipas hadithit, të cilin e transmeton Ebu Hurejre r.a., Pejgamberi a.s. ka thënë: “Meka dhe Medina janë të mbrojtura prej engjëjve. Në të gjitha anët e tyre qëndrojnë engjëjt, andaj nuk do të hyjë kurrë dexhalli e as murtaja.” Ibni Kutejbe thotë se murtaja nuk ka ra asnjëherë në Meke e në Medine. Në anën tjetër, Meka e Medina nuk janë të mbrojtura prej epidemive e pandemive të tjera. Edhe Covid-19 i ka goditur këto dy vende, po aq sa vendet e tjera. Në kohën e kalifatit të Omerit r.a., pati rëndë një epidemi në Medine dhe si pasojë e saj njerëzit vdisnin shumë shpejt. Ndërsa, sa i përket një transmtimi që thotë se ka pasur murtajë në Meke, në vitin 749 h., Ibni Haxheri r.h. thotë se ka qenë epidemi e jo murtajë, por transmetuesit i është dukur ashtu.[22]

4) Murtaja (et-taun) dallon nga epidemia (el-veba). Epidemia është emërtim i përgjithshëm për çdo sëmundje ngjitëse, ndërsa murtaja identifikon sëmundjen e veçantë, pavarësisht që është ngjitëse. Kështu që, çdo epidemi nuk është murtajë, por çdo murtajë është edhe epidemi.

5) Në kuptimin metaforik, murtajë mund të quhet çdo sëmundje e rrezikshme epidemike, që përhapet me shpejtësi të madhe dhe që shkakton vdekje të shumta e të shpejta. Nëse Covid-19, quhet me këtë emër, nuk ka ndonjë gabim. Veçse duhet ditur se nuk bëhet fjalë për atë murtajën, që ka ardhur në hadithet e Pejgamberit a.s., e për të cilën Pejgamberi a.s. ka thënë se është martirizim për besimtarin.

 

(Revista ‘Dituria Islame’, nr.360/2020, fq.32-34)

 _________________

[1] Pas qetësimit në muajin gusht e shtator, epidemia Covid-19, përsëri u bë agresive gjatë muajit tetor e nëntor 2020. Tani, më 25.11.2020, kur po e shkruajmë këtë punim, numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 36.253 dhe 948 raste të vdekjes. Ndërsa, në nivel të botës janë 60.744.487 raste pozitive dhe 1.427.188 raste të vdekjes. Shih: Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), publikimi i të dhënave për datën 25.11.2020. Po ashtu, shih: https://www.trt.net.tr/shqip/covid19.

[2] Për përkufizimin e murtajës, shih: Orhan Bislimaj, Murtaja epidemi e rrezikshme, i botuar në këtë revistë, në numrin e kaluar! Ky punim është vazhdimi i tretë.

[3] Shih: Islam ansiklopedisi, botues: Turkiye Diyanet Vakfi, fjala ‘taun’ (verzioni elektronik), sipas: https://islamansiklopedisi.org.tr/taun, data e citimit: 04.10.2020; shih: https://sq.wikipedia.org/wiki/Murtaja; shih: https://ar.wikipedia.org/wiki/ طاعون

[4] Shih: Medeline Kennedy, The bubonic plague still exists — here’s how you get it and how to treat it, (verzioni elektronik), sipas: https://www.insider.com/how-to-treat-the-bubonic-plague, data e citimit:30.06.2020.

[5] Me gjerësisht, shih: Dr Abdul Ghaffar, Brucella, yersinia, bacillus, listeria dhe francisella, (verzioni elektronik) përkth. Lul Raka, sipas: http://microbiologybook.org/Albanian/Albanian-chap17.htm.

[6] Shih: Ibn Mendhur, Lisanu’l arab, lënda: ‘taane’ (verzioni elektronik), fq.2677.

[7] Sahihu’l Muslim, Kitabu: Et-tibb; babu: et-tauun, vet-tjeretu, vel kehanetu, hadithi nr.5734.

[8] Transmeton Buhariu. Hadithi është sahih.

[9] Shih: Ibnu’l Kajjim El-Xhevzijj, Zadu’l mead, vërtetimi shkencor nga Shuajb Arnauti dhe Abdulkader Arnauti, Er-Rrisaletu, botimi i tretë, 1998/1419, vëll. 4, fq. 35; En-Nevevij, Sherhu Sahihi’l Muslim, vëll.14/425.

[10] Shih: Ministria e shëndetësisë e Arabisë Saudite, sipas: https://www.moh.gov.sa/HealthAwareness/EducationalContent/Diseases/Infectious/Pages/011.aspx,

[11] Shih: Ibnu’l Kajjim El-Xhevzijj, po aty, fq. 37.

[12] Hadithin e transmetojnë: Ibën Maxhe, Bezzari, Bejhekiu dhe Hakimi nga Ibën Omeri r.a.: shih: https://www.islamweb.net/ar/article/175173/ حديث-الخصال-الخمس

[13] Shih: Brandon Clay, Covid-19 – Biblical Plague?, verzioni elektronik, sipas: https://answersingenesis.org/coronavirus/covid19-biblical-plague/, data e botimit:29.03.2020.

[14] Transmeton Usamete bin Zejd se Pejgamberi a.s. e ka përmendur ‘murtajën’ dhe ka thënë: “Një mbetje nga dënimi që e pati goditur një popull nga Beni Israilët…” (Transmeton Buhariu, Hadithi është sahih).

[15] Shih: Ibnu’l Kajjim El-Xhevzijj, po aty, fq.36.

[16] Shih: Ibnu’l Kajjim El-Xhevzijj, po aty, fq.36.

[17] Shih: Ibnu’l Kajjim El-Xhevzijj, po aty, fq.37.

[18] Transmeton Ahmedi. Po ashtu, e transmeton Albani në Sahihu et-tergib vet-terhib. Goditja prej xhindëve quhet ‘et-tanu’, ndërsa shpërfaqja e kësaj quhet ‘el-vahzu’, sepse ndodhë nga brenda, ashtu që së pari jep efekte të brendshme pastaj kalon në simptoma të jashtme, për dallim prej goditjes së njerëzve që fillon prej jashtë e pastaj shfaqen simptomat e brendshme.

[19] Shih:Muhamed Salih El-Munxhid, Hel meradun kuruna minet-taun (verzioni elektronik), sipas: https://islamqa.info/ar/answers/333763/هل-مرض-كورونا-من-الطاعون

[20] Më gjerësisht, për virusin corona, shih: https://en.m.wikipedia.org/wiki/Coronavirus; ndërsa për bakterien ‘yersinia’, shih: https://en.m.wikipedia.org/wiki/Yersinia_pestis.

[21] Shih: Nocioni ‘bakter’ dhe ‘virus’, sipas: http://www.fjalori.shkenca.org/

[22] Shih: El-Askalanij, Fet’hu’l-Bari Sherhu Sahihi’l-Buhari, botimi i parë, daru’s-selam, Rijad, 2000, vëll.10, fq.220- 236.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *