“Tri gjëra, kushdo që i ka, do ta gjejë ëmbëlsinë e imanit…!”
(Dersi i xhumasë)
1.
Shumëkush dashurinë ndaj prindërve e ndërlidhë vetëm me prejardhjen dhe kujdesin e tyre kur kemi qenë të vegjël.
Harrojnë se në këtë mes ka diçka akoma më të rëndësishme, e ajo është ‘preokupimi emocional’.
Nga momenti që lind fëmija, prindërit e kanë preokupim emocional, gjatë gjithë jetës, 24 orë në ditë…
Dhe, ky preokupim është aq i zjarrtë sa e tejkalon vetveten, është ai që e bën drenushën të qëndrojë përballë luanit në mbrojtje të voglit të saj.
2.
E përtej këtij relacioni dhe çdo relacioni tjetër, duhet të jetë dashuria ndaj Allahut. I Madhi Zot në Kur’an ka thënë:
“Thuaj (o Pejgamber): “Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që fituat, tregtia që frikësoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju, se Allahu, se i Dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu të sjellë dënimin e Tij, Allahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.” (Surja Et-Tevbeh, 24).
Pjesa ‘atëherë pritni derisa Allahu të sjellë dënimin e Tij’, sipas ulemave është argument se dashuria ndaj Zotit më shumë se këndo tjetër është farz (obligim), sepse ka ardhur në mënyrë urdhërore (sigatu emrin) me kërcënim (et-tehdid), e në parim kërcënimi i Zotit vjen gjithmonë pas farzeve.
3.
Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Tri gjëra, kushdo që i ka, do ta gjejë ëmbëlsinë e imanit / besimit: (1) se Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më të dashur për të se çdo gjë tjetër, (2) se ai e do një person vetëm për hir të Allahut dhe (3) se urren të kthehet në kufër, siç urren të hidhet në zjarr.”
4.
Pse duhet ta duam Allahun më shumë se çdo gjë tjetër?
Allahu e ka vendosur në shpirtin e njeriut një ‘dashuri për hyjnoren’ dhe kjo është e vërtetueshme prej fesë e shkencë (shih: El-Bekare, 165).
Në atë moment që nuk e kemi ndaj Allahut, atëherë kjo do të orientohet ndaj krijesave, e Allahu e xhelozon një zemër që e do dikë tjetër më shumë se sa Zotin.
P.S. Edukoni fëmijtë, le ta duan Allahun më shumë…!
Orhan Bislimaj
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
11 prill 2025