Cila krijesë do të vdes e fundit në ahiret…!
(Dersi i xhumasë)
1.
Xhenneti dhe Xhehennemi janë hak dhe ata janë të krijuar që tani, anipse ne nuk e dijmë vendndodhien e tyre.
Fatkeqësisht, akoma ka njerëz prej muslimanëve që pyesin a mos është kthyer dikush prej asaj dynjaje e të na tregojë se ka xhennet e xhehennem.
Kjo është një pyetje, siç thoshte Ebu Hanife, e atyre që i shkarravisin gjërat.
Zoti i Madh ia ka vendosur njeriut biletën njëdrejtimshe, jo dydrejtimshe, në pesë faza: (1) ka filluar me fazën e shpirtit, pra pa trup, që nga njeriu i parë Ademi a.s.; (2) pastaj ka vazhduar si fetus në barkun e nënës; (3) pastaj ka ardhur në këtë dynja; (4) pastaj do të dalë në jetën e varrezave (berzah); dhe (5) stacioni i fundit do të jetë ahireti (xhenneti ose xhehennemi).
Ta bësh një pyetje të tillë, i bie sikur të kërkosh që dielli të lind në perëndim e jo në lindje. Kjo do të ishte sa e pa arsyeshme aq naive, sepse është një kërkesë për shkatërrimin e gjithësisë, e Pejgamberi a.s. ka thënë se lindja e diellit në perëndim është prej shenjave krejt të afërta të Kijametit.
2.
Jeta në tokë ka filluar me një frymë, me njeriun e parë – Ademin a.s., dhe do të mbarojë me një frymë, atë të ‘Surit’ (borisë), ku do të vdesin të gjithë që janë në tokë e qiell.
Sipas haditheve të Pejgamberit kanë për të mbetur të gjallë katër melekë: Xhibrili, Israfili, Mikaili dhe Meleku i vdekjes.
Me urdhër të Zotit, Meleku i vdekjes ua merr shpirtin tre melekëve dhe krejt në fund edhe vetes.
E Allahu do të thotë: Kujt i takon sundimi sot? Gjersa askush nuk do të flasë, atëherë Allahu do të përgjigjet, siç ka ardhur në Kur’an:
“Sundimi sot është vetëm i Allahut, që është i Vetëm dhe Fuqiplotë” (Gafir, 16)
Por, ka mbetur edhe një krijesë e vetme akoma pa vdekë, e ajo është vdekja.
3.
Pejgamberi a.s. na ka treguar se edhe vdekja do të mbytet dhe kjo do të ndodhë pasi të marrë fund gjykimi në ahiret dhe kur është vendosur se kush do të jetë në xhennet e kush në xhehennem.
Në një hadith, që e transmeton Ebi Seid El-Hudrij r.a., Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Vdekja do të sillet në formën e një dashi të majmur dhe një lajmëtar do të thërrasë: O banorë të Xhenetit, ata do të kthehen e do të shikojnë, e ai do t’u thotë: A po e njihni këtë? Ata thonë: Po, kjo është vdekja dhe të gjithë e shohin. Pastaj thërret: O banorë të Xhehenemit, ata do të kthehen e do të shikojnë, e ai do t’u thotë: A po e njihni këtë? Ata thonë: Po, kjo është vdekja, dhe të gjithë e shohin, kështu që ai thërret e thotë: O banorë të xhenetit, jeni përgjithmonë në xhennet, pra nuk keni vdekje, dhe o banorë të Xhehenemit, jeni përgjithmonë në xhehennem, pra nuk keni vdekje. Pastaj Pejgamberi a.s. e lexoi ajetin: Ti tërhiqu atyre vërejtjen për ditën e dëshprimit, kur të marrë fund çështja (e përgjejgësisë e dikush në xhenet, dikush në zjarr), se ata (sot) janë të painformuar, dhe ata nuk janë duke besuar (Merjem, 39).”
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
4 prill 2025

Loading