Kush hyri në xhennet para shehidit (dëshmorit)…!
(Dersi i xhumasë)
1.
E pritëm me gëzim e po e përcjellim me mallëngjim. Ramazani nuk është veçse muaj, por është mysafir i Zotit.
Për një muaj të tërë agjëruam, falëm teravij, lexuam Kur’an, dhamë sadakë, mos harroni që të gjitha kanë me qenë dëshmi para Zotit.
Asgjë nuk humbet!
I lum ai që nuk u korit. Ai që e agjëroi fitoi, e ai që nuk e agjëroi, Pejgamberi a.s. e ka cilësuar ‘të pa fat’.
2.
Në fund të ditës, shyqyr Zotit që na mundësoi ta jetojmë edhe këtë Ramazan.
Ekziston një ngjarje interesante për dy shokë, që e transmeton Talha bin Ubejdullahu.
(Talhaja ka qenë prej atyre të paktëve që është përgëzuar me xhennet nga Pejgamberi a.s. duke qenë në këtë botë. Po ashtu ka qenë dëshmor i Uhudit).
Talhaja rrëfen e thotë:
“Kanë qenë dy shokë nga fisi Belijj (Beni Udhre) në Medinë, e të cilët e patën pranuar Islamin bashkë te Pejgamberi a.s. Në ndërkohë njëri prej tyre bie shehid (dëshmor), kurse tjetri vdes pas një viti, por jo shehid.
Pas një kohe, Talha bin Ubejdullah thotë i pash në ëndërr, unë sikur isha te dera e xhennetit bashkë me ta, por kur doli prej xhennetit një thirrës dhe të parin që e thirri me hy në xhennet ishte ai që ka vdekur pas një viti, e jo ai që ka ra shehid. Ai thirrësi më tha: Ju kthehuni se akoma nuk ka ardhur koha për ju me hy në xhennet!
Këtë ëndërr Talhaja thotë ia tregova njerëzve dhe të gjithë u befasuan, si është e mundur që të hyjë në xhennet dikush tjetër para shehidit, kur dihet se shehidi ka një pozitë të veçanttë tek Allahu.
Çështja mbërrini te Pejgamberi i Zotit. Pejgamberi a.s. u tha, më tregoni për këtë tjetrin që ka vdek pas një viti, a mos e ka mbërri edhe një Ramazan tjetër, ata i thonë po, Pejgamberi a.s. u tha se pikërisht është Ramazani që ia ka mundësuar këtë përparësi në xhennet.”
3.
Le të përgatitemi për Bajram. Ju që keni fëmijë të vegjël gëzoni fëmijtë, po qoftë edhe me një palë çorapë të ri.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, në bashkëpunim me imamët, mualimet, këshillat e xhamive dhe shoqatën ‘Bereqeti’, do t’u dhurojë të gjithë nxënësve të mektebit nga një dhuratë, me mbishkrimin “Gëzuar Fitër Bajramin”
Lamtumirë Ramazan, mirë u takofshim në vitin tjetër…!