“Atë Ditë do të zbulohen sekretet…!
(Dersi i xhumasë)
1.
Edhe pse foshnja në barkun e nënës nuk e di se ekziston kjo dynja, megjithatë ai një ditë do të bindet se kjo është reale.
Njësoj është edhe puna e njeriut në raport me ahiretin.
Pas ringjalljes, hapi i parë do të jetë grumbullimi i të gjithë njerëzve njëkohësisht, në një vend, ku do të qëndrojnë para Allahut.
Ajo ditë quhet Dita e Gjykimit, ndërsa vendgrumbullimi quhet ‘mahsher’ (dhe përngjason me fushën e Arefatit), ku njerëzit do të tubohen, të gjithë nga njeriu i parë dhe deri tek i fundit, pa dallim feje, etnie, gjuhe, race, gjinie, etj.
2.
Atë Ditë njerëzit mbijnë prej tokës, këmbëzbathur, lakuriq, të pambuluar, burra e gra bashkërisht dhe të mërzitur shkojnë para Allahut.
Allahu në Kur’an, pasi thotë se atë ditë njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmjëve të vet, e thotë edhe këtë:
“Atë ditë secilit njeri i mjafton çështja e vet. Atë ditë do të ketë fytyra të shndritura. Të buzëqeshura e të gëzuara. Atë ditë do të ketë edhe fytyra të pluhëruara. Që i ka mbuluar errësira e zezë. E të tillët janë ata mohuesit, mëkatarët.” (Abese, 34-42)
3.
Duke qenë në ‘mahsher’, njerëzëve u vjen libri i jetës, ku kanë shkruar melekët çdo imtësi dhe secili e sheh dynjanën e tij në atë libër.
Allahu i thotë njeriut:
“Lexo librn tënd, mjafton të jesh sot llogaritës i vetvetes”. (Sureja El-Isra, 14).
E atë Ditë gjëja më e vështirë për njerëzit do të jetë zbulimi i sekreteve. Allahu Ekber!
“Në Ditën kur do të zbulohen sekretet. Kur njeriu nuk do të ketë as fuqi, as ndihmës.” (Sureja Et-Tarik, 9-10)
Paramendoje veten përballë zbulimit të atyre fshehtësive tua që dikur ke menduar se kurrë nuk dalin në mejdan!?
Atë Ditë shumëkush do të turpërohet para Zotit e para njerëzve.
Zot, mos na turpëro as në dynja e as në mahsher…!
Orhan Bislimaj
Xhamia e ‘Bajraklisë’ (Gazi Mehmet Pasha), Prizren
31 janar 2025