1.
Prej xhumasë së sotshme, me iznin e Zotit e nisëm një seri të ligjëratave mbi ‘degët e imanit’, që do t’i mbajmë në xhaminë e Bajraklisë në Prizren, në dersin e xhumasë.
Në një hadith Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Imani është shtatëdhjetë apo gjashtëdhjetë e sa degë, më e vlefshmja e tyre është fjala La ilahe il-lall-Llah, kurse më e thjeshta është largimi i një pengese nga rruga. Edhe turpi është një nga degët e imanit.”
2.
Në këtë hadith janë përmendur degët, por nuk është fiksuar numri e as nuk është dhënë emërtimi tematik i degëve.
Kjo ka inspiruar shumë dijetarë që t’i qasën kësaj çështje, kurse dy prej tyre kanë bërë emër në këtë aspekt, pasiqë i kanë identifikuar dhe emërtuar degët e imanit, e ata janë:
-Ebu Abdilah El-Halimij El-Buharij (v.403 h. / 1012 m.) me librin e tij “El-Minhaxhu fi shuabi’l-iman”, në tri vëllime të mëdha; dhe
-Ebu Beker Ahmed bin Husejn El-Bejhekij (v. 458 h) me librin e tij ‘El-Xhamiu’l-musan-nefu fi shuabi’l-iman’, në më se 14 vëllime voluminoze.
Bazuar në argumente të Kur’anit dhe në hadithe, pjesa dërrmuese e dijetarëve thonë se bëhet fjalë për 77 degë të imanit, e të cilat ne do t’i shpjegojmë në javët e muajt në vijim.
3.
Edhe më tej, ky hadith e krahason imanin me pemën. Në fakt një përqasje të tillë e gjejmë dhe në Kur’an, ku Allahu e krahason “fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët kah qielli.” (Sureja Ibrahim, 24).
Njësoj si pema edhe imani ka rrënjë, gjallëri, trung, degë, bukuri dhe fruta.
Rrënjët e pemës janë në tokë, kurse të imanit janë në zemër. Gjersa pema bëhet e dukshme mbi tokë me trungun e degët, imani bëhet i dukshëm te njeriu me fetarinë e tij.
Ashtu si pema që është e bukur me kurorën e degëve, njësoj edhe imani është i bukur me tërësinë e veprave.
Pema e shëndoshë jep fruta të shëndoshë, ashtu sikurse imani i shëndoshë që jep vepra produktive.
Njësoj si pema që vyshket pa ujë, ashtu edhe imani vyshket pa namaz dhe ibadet…!