KARTA E MEDINËS DHE PROPOZIM-MARRËVESHJA E MARTTI AHTISAARIT PËR STATUSIN E KOSOVËS

Dr. Orhan Bislimaj

KARTA E MEDINËS DHE PROPOZIM-MARRËVESHJA E

MARTTI AHTISAARIT PËR STATUSIN E KOSOVËS

(trajtesë krahasimore)

 

Abstrakt

 

Karta e Medinës, është dokument monumental, që i paraprinë të gjitha akteve ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, përfshirë të drejtat civile, politike, ekonomike, shoqërore e kulturore. Si një aset vital, ajo i ofroi njerëzimit modelin ideal për zgjidhjen e krizave, arritjen e paqes, respektimin e diversitetit, mënyrën e integrimit të pakicave si dhe ndërtimin e shteteve të reja multietnike, multifetare e multikulutrore. Edhe pse nuk thuhet, megjithatë, ka shumë të ngjarë, që Karta e Medinës, për nga aspekti metodologjik e përmbajtësor, të ketë shërbyer si referencë konsultative edhe për Pakon e Ahtisarit, qoftë direkt apo indirekt. Sepse, siç do të shohim, kemi përngjashmëri të rastit.

Prandaj, në këtë punim, do të trajtojmë disa prej aspekteve bazike, që dëshmojnë se Pakoja e Ahtisarit, në shumë dimenzione, e ka ndjekur metodologjinë e Pejgamberit a.s. dhe Kartës së Medinës, në zgjidhjen e konfliktit dhe arritjen e paqës. Natyrisht, në këtë punim nuk do të merremi me hollësitë.

 

Fjalët kryesore: Antagonizëm, dialog, marrëveshje, drejtësi, diversitet, pakicë, faktorizim, bashkëjetesë, paqe, liri, të drejta, civile, politike, shtet, etj.

 

1. Karta e Medinës

Karta e Medinës, daton që nga  shpërngulja e Muhamedit a.s., nga Mekka në Medinë, në vitin 622.[1] Në origjinalin e saj, në gjuhën arabe, Karta e Medinës është identifikuar me emërtimet “kitabun” dhe “es-sahifetu”[2], ndërsa në literaturën shkencore, njihet si kartë, kushtetutë, konventë, dokument, marrëveshje, etj., varësisht prej këndvështrimit përkatës apo profesional.

Karta e Medinës është ruajtur si dokument autentik dhe unikat nga njëra gjeneratë tek tjetra, e përkthyer në shumë gjuhë të botës.*) Nuk ka tekst të gjatë, por është e shkruar me një stil kushtetues, në formë të aksiomave dhe formulave lakonike. Në gjuhën shqipe, numron 3 faqe, të formatit A4. Në origjinal, Karta nuk ka ndarje në nene apo kapituj. Por, studiuesit e ndryshëm, për çështje praktike, e kanë ndarë në nene, disa kanë evidentuar 47 nene, disa 52 nene, apo edhe më shumë, varësisht prej këndvështrimit, mbi bazën e kontekstit.

Rëndësia e kartës është tejhistorike, veçanërisht kur kemi parasysh protagonistin e saj dhe kohën kur është realizuar. Si e tillë, konsiderohet platformë historike për vlerat integruese e qytetare. Karta, fillon me “Bismilah” - me emrin e Allahut të Madhërishëm, e  pastaj evidenton palët e marrëveshjes si një lloj preambule, për të vazhduar me përmbajtjen e saj, mbi të drejtat, përgjegjësitë dhe detyrimet e palëve, ndërsa, mbyllet me sublimimin e drejtësisë, si një parim i Allahut për gjithësinë: “Allahu është me atë që e respekton marrëveshjen dhe i bindet asaj, edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s.” (و إن الله جار لمن بَر و اتقي, و محمد رسول الله ).[3]

 

2. Pakoja e Ahtisaarit

Pakoja e Ahtisarit*), është dokument zyrtar i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ish presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, i ngarkuar me detyrë nga OKB-ja, ka organizuar dhe ndërmjetësuar dialogun në mes Prishtinës e Beogradit, për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që u mbajt në Vjenë të Austrisë, në periudhën 20 shkurt 2006 - 10 mars 2007. Pas bisedimeve, ndërmjetësuesi Martti Ahtisaari, ofroi tekstin e marrëveshjes, me titull: “Comprehensive Proposal for the Kosovo Status Settlement - Propozimi gjithëpërfshirës për marrëveshjen për statusin e Kosovës”[4], të cilën, brenda ditës, më datë 02 shkurt 2007, personalisht u dorëzoi, së pari Serbisë, e pastaj edhe Kosovës. Dokumenti, ishte i pa negociueshëm.

Kuvendi i Kosovës, më datë 05 prill 2007, në seancë plenare e ka aprovuar Pakon e Ahtisaarit, duke marrë përgjegjësi për zbatimin e saj. Po ashtu, mbi Pakon e Ahtisaarit, Kuvendi i Kosovës, më datë 17 shkurt 2008, e ka shpallur Pavarësia e Republikës së Kosovës.

Pakoja e Ahtisaarit, është përkthyer në gjuhën shqipe nga përkthyesit kompetent, nga Kuvendi i Kosovës dhe numron 64 faqe të formatit A4. Fillon me njësinë “dispozitat e përgjithshme”, ndërsa pjesa tjetër e tekstit përbëhet prej XII anekseve, që flasin për fusha të ndryshme të organizimit shoqëror.[5]

 

3. Rrethanat historike dhe ngjashmëritë

Karta e Medinës dhe Pakoja e Ahtisarit, janë projekte tipike, të dedikuara për shoqëritë, multietnike, multifetare dhe multikulturore. Ato, në përmasa gjithëpërfshirëse, kanë marrë në konsideratë aspiratat etnike (fisnore) e fetare të palëve, si elemente qenësore, që kanë implikuar në zhvillimet socio-politike.

1) Struktura e popullsisë. Në Medinë, përveç fiseve arabe të njohura Evs dhe Hazrexh, kanë jetuar edhe fise të tjera, si Benu Auf, Benu Harith, Benu Said, Benu Xhushem, etj.. Po ashtu, edhe në Kosovë, përveç shqiptarëve, që përbëjnë shumicën e popullsisë, pjesë e saj janë edhe serbët, boshnjakët, turqit, ashkalinjtë, romët, egjiptianët.

Po ashtu, edhe elementi i fesë është pluralistë. Në Medinë, në kohën e marrëveshjes, përveç muslimanëve shumicë, kanë jetuar hebrenjtë, si bashkësi e dytë më e madhe, të krishterët në pakicë si dhe të pafetë (idhujtarët). Ndërsa, në Kosovë, janë muslimanët shumicë dhe komunitetet e tjera pakicë, si: ortodoksët, katolikët, bashkësia hebraike, etj, po edhe të pa fetë.

2) Hasmëritë shekullore. Si Medineja e asaj kohe, edhe Kosova, janë përballur me një hasmëri të brendshme, për gati një shekull. Në Medinë, konflikti është zhvilluar në mes fiseve apo aleancave fisnore, arabe e hebreje. Në kohën e ardhjes së Pejgamberit a.s., Medineja, kishte afërsisht 10.000 banorë, të shtrirë në 22 fise. Më shumë se gjysma e popullsisë ishin arabë (muslimanë dhe paganë), dhe pjesa tjetër ishin hebrenjë.[6]

 

4. Antagonizmi në mes palëve konfliktuoze

Në Medinë, antagonizmi kryesor, ishte në mes arabëve dhe hebrenjëve. Fisi Evs dhe Hazrexh, që ishin fiset kryesore arabe të Medinës, synonin udhëheqjen mbi Medinën, kundrejt hebrenjëve, të cilët i konsideronin ardhacak. Kështu, që nga fundi i shekullit V e deri në kohën e Kartës së Medinës, arabët në aleanca fisnore, kanë dominuar mbi Medinën. Në anën tjetër, hebrenjët, që përbënin komunitetin e dytë më të madh, pas arabëve, e të cilët, patën ardhur në Medinë nga rajoni i Palestinës, për shkak të dhunës ndaj tyre, gjatë kohës së imperatorit Hadriani[7], synonin rikthimin e pushtetit, e që e kishin pasur më herët, duke përdorur lloj-lloj dredhirash për t’i hasmuar arabët në mes veti. Konflikti në mes tyre, vazhdoi për një periudhë të gjatë dhe pati marrë jetërat e shumë njerëzve, duke e bërë Medinën vend të pasigurt.

Por, ç’e do që, një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në Kosovë. Antagonizmi ishte në mes shqiptarëve e serbëve. Shqiptarët autokton, që përbënin pjesën dërrmuese të popullsisë, në vitin 1999, nëpërmjet luftës së UÇK-së, e ndihmës ndërkombëtare, arritën ta rikthejnë dominimin mbi Kosovë, duke e larguar okupatorin serb ardhacak, që e kishte mbajtur Kosovën në okupim të egër, që nga viti 1912. Mirëpo, serbët, që janë komuniteti i dytë në Kosovë, pas shqiptarëve, për nga madhësia, nuk janë pajtuar me këtë gjendje dhe, të ndihmuar nga shteti i tyre amë, Serbia, e bojkotonin jetën qytetare, duke e paraqitur Kosovën, si vend i pasigurtë, krizë për mbijetesë, etj., e të gjitha këto, duke pretenduar për rikthimin e pushtetit të humbur mbi Kosovën.

Ky sfond historik i konfliktit, qoftë në Medinë apo Kosovë, vetiu ka bërë presion mbi akterët, që të ulën në tryezën e marrëveshjes, si një nevojë e patjetërsueshme. Por, vetë palët e përfshira në mosmarrëveshje, nuk mund ta arrinin një marrëveshje meritore. Në këtë rrjedhë, si në Medinën e asaj kohe, ashtu edhe në Kosovën e kohës tonë, ishte më se e nevojshme ndërhyrja nga një palë e tretë, që nuk ka lidhje me konfliktin. Zatën, në raste të tilla kjo është domosdoshmëri, siç patën vepruar në mesjetë republikat e Italisë Veriore, të cilat, për t’i dhën fund kryengritjeve të brendshme, patën zgjedhur të huajtë në vendet udhëheqëse.[8]

 

5. Pala ndërmjetësuese dhe zhvillimi i dialogut

Pas mbërritjes së tij në Jethrib, Pejgamberi Muhamed a.s., pranoi një ofertë nga disa fise e Jethribit, që të vepronte si një palë e tretë ndërmjetëse për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve ndërfisnore. Ai, gëzonte reputacionin e një ndërmjetësuesi të aftë, pasiqë kishte ndihmuar gjithashtu në zgjidhjen e konflikteve edhe në Mekë. Ishte një praktikë e zakonshme ndër arabët e asaj kohe, që t’i drejtoheshin një të jashtmi për konfliktin dhe Pejgamberit a.s. i ishte dhënë titulli “i besueshmi” nga banorët e Mekës. [9] Ngjashmërisht, veproi edhe populli i Kosovës, që kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare ndihmë dhe ndërmjetësim për ndërtimin e paqës në Kosovë.

Por, para se të hartohej Karta e Medinës dhe Pakoja e Ahtisarit, në mesin e palëve përkatëse ishte zhvilluar një dialog, në mënyrë që të shpalosin kërkesat e tyre.

Është shumë e vërtetë, se Pejgamberi a.s. gjatë përgatitjes së Marrëveshjes, u konsultua me liderët e fiseve, duke treguar kështu vullnetin e tij për të dëgjuar nevojat dhe kërkesat e të gjitha fiseve.[10] Këtë rol, Pejgamberi e ka luajtur, konform pozitës së tij prej të Dërguari të Allahut. Kur jemi këtu, në asnjë rrethanë, nuk duhet kufizuar rolin e Pejgamberit a.s. në mandat teknik, në aspirata të pushtetit apo vetëm si një kryeplak, që ia ka mësyer pajtimit të palëve. Përkundrazi, personalisht mendoj se roli i Pejgamberit a.s. në përpilimin e Kartës së Medinës, ishte brenda hermeneutikës së shpalljes. Dhe, ky impact, vërehet në Kartë. Në fillim të saj, thuhet: “Kjo është Kartë prej Muhamedit Pejgamber i Allahut për të gjithë muslimanët e besimtarët nga Kurejshitët dhe nga banorët e Jethribit dhe për të gjithë pasuesit e tyre…” (هذا كتابٌ مِن محمدٍ النبي صلي الله عليه و سلم بين المؤمنين و المسليمين من قريش و يثرب و من تبعهم). Është interesant, se Karta mbaron përsëri me emrin e Muhamedit – I Dërguar i Allahut: “Allahu është me atë që e respekton marrëveshjen dhe i bindet asaj, edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s.” (و إن الله جار لمن بَر و اتقي, و محمد رسول الله ).[11] Pra, pasimi i emrit të Muhamedit, me epitetin “I Dërguari i Allahut”, Kartën e Medinës e lartëson në horizontet e shpalljes. Sa i përket, asaj që thuhet se Karta e Medinës, sikur të ishte pjesë e pejgamberisë së Muhamedit a.s., ajo do të transmetohej sikurse hadithet, e që nuk ka ndodhur, përgjigjja është se, ajo nuk ka mundur të jetë e tillë, për shkak se ka qenë kompilim i dalë nga dialogu dhe konsultimi me fiset, e marrëveshjet janë të këtilla. E rëndësishme është se askush prej historiografëve të jetës së Pejgamberit a.s. nuk e konteston qenësinë e Kartës së Medinës, si një realizim i Muhamedit a.s., i legjitimuar nga vetë ai, si i Dërguar i Allahut.

Të njëjtin diskurs të ndërmjetësimit dhe dialogut, e ka trasuar edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke e angazhuar Martti Ahtisaarin për të organizuar zhvillimin e dialogut në mes të përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë, i mbajtur në Vjenë të Austrisë.

Teoricientët bashkëkohor mbi zgjidhjen e konflikteve, muslimanë e jomuslimanë, me të drejtë deklarojnë se metodat që aplikohen në fushën e zgjidhjes së konflikteve në kohërat moderne, janë të ngjashme me metodat që Pejgamberi a.s., i përdori në hartimin e Kartës së Medinës. Këto metoda, i kanë dhënë shkencës, një burim të rëndësishëm të të kuptuarit të koncepteve të ndërmjetësimit, dialogut dhe zgjidhjes së konflikteve ndërmjet shoqërive, qofshin islame apo joislame.”[12]

 

6. Sfidat dhe koncensionet

Vetë problematika për realizimin e marrëveshjeve në mes palëve, ka implikuar delikatesë. Nuk thuhet rastësisht, “nuk ka zgjidhje ideale”. Në raste të këtilla, përveç pragmatizmit e drejtësisë maksimale, vjen në shprehje edhe elementi i koncensioneve, si një pikë, që në raste të caktuara, i mban të kënaqur palët dhe mundëson tejkalimin e sfidave. Jo vetëm në Kartën e Medinës, por edhe në raste të tjera, Pejgamberi a.s., ka ndjekur një logjikë me karakter koncensioni dhe tolerance, çfarë gjer atëherë nuk i ka njohur bota, përplot me egoizma e glorofikime fisnore.[13] Edhe Pakoja e Ahtisarit e ka aplikuar metodën e koncensioneve, madje përtej optimumit.

Në Medinë, sfidë kryesore për marrëveshjen, kanë qenë hebrenjtë, jo vetëm për shkak të përqindjes solide të popullsisë, por edhe për faktin, se për një periudhë kanë udhëhequr me Medinën. Në secilin variant, pa përfshirjen e tyre në marrveshje, nuk mund të arrihej paqja dhe kjo i bënte factor strategjik. Për këtë arsye, Karta e Medinës, atyre i ka kushtuar hapësirë të konsiderueshme, mbi gjysma e saj, duke orientuar marrëveshjen në dy palë kryesore, pra në mes muslimanëve, në njërën anë dhe hebrenjëve, në anën tjetër, pavarësisht, se aty bënin pjesë edhe komunitete të tjera, më të vogla.

Por, ç’e do që, e njëjta situatë është sjellur edhe në Kosovë, në raport me komunitetin serb, të cilët ushqenin një urretje patologjike ndaj shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në Kosovë, me idenë e tyre, se janë popull superior (hyjnor) dhe atyre u takon “mbretëria qiellore” mbi Kosovën, si tokë e shenjtë. Prandaj, edhe sfida e bashkësisë ndërkombëtare ishte në raport me komunitetin serb, jo vetëm për shkak të përqindjes solide, por edhe si faktor strategjik i marrëveshjes, pasiqë, për një kohë e kanë mbajtur nën okupim Kosovën dhe posedojnë asete kulturore. Për këtë arsye, Pakoja e Ahtisarit i ka kushtuar më shumë hapësirë atyre në marrëveshje, se sa komuniteteve të tjera. Për shembull, një aneks i tërë, fillim e fund, i kushtohet vetëm Kishës Ortodokse Serbe, të drejtat e tyre speciale, ndërsa komunitetet e tjera, nuk e kanë një hapësirë të këtillë. Po ashtu, edhe në ankeset e tjera, në përmbajtjen e Pakos, në epiqendër janë komunitetet pakicë, e veçanërisht serbët.

Por, këtu, nga përspektiva analitike, vërehet një dallim. Karta e Medinës, ka promovuar një model minimal të koncensioneve, dhe atë brenda horizonteve të drejtësisë, pra, që nuk e dëmtojnë asnjë palë, për dallim, nga Pakoja e Ahtisarit, e cila, në kuadër të koncensioneve, ka qenë shumë dorëlirë për pakicat etnike, sidomos për atë serbe, madje e ka diskriminuar komunitetin shumicë, siç janë aspektet e decentralizimit, ekstraterritorialitetit, rezervimi i mandateve në Kuvend e Qeveri, e drejta e vetos për ndryshimin e disa ligjeve, përfaqësim në të gjitha nivelet, etj.[14] Pastaj, Pakoja e Ahtisarit, në emër të përmbushjes së afiniteteve të serbëve, pra shovinizmin antishqiptar e antiislam, në asnjë vend brenda Pakos, nuk e përmend fare emrin “shqiptar”, “islam” dhe as “xhami”, edhe pse mbi 90 % e popullsisë së përgjithshme të Kosovës, janë shqiptarë muslimanë dhe Kosova ka afër 1000 xhami!? Në anën tjetër, emërtimet fetare: ortodoks, katolik, kishë, serbë, boshnjak, turq, rom, ashkali, egjiptianë, gjejnë përdorim mjaft të shpeshtë brenda Pakos!?

 

7. Bashkëjetesa paqësore si objektiv madhor

Në esencë, Marrëveshja e Medinës, parasëgjithash ka synuar vendosjen e paqës, si një preventivë për ndalimin e gjakderdhjeve të mundshme, pasiqë luftërat e gjata, patën marrë jetërat e shumë njerëzve, padrejtësisht. Por, paqja do të mbetej e pakuptimtë, gjersa nuk ndërtohet konceptet e bashkëjetesës. Kështu që, Pejgamberi a.s. në Kartën e Medinës, vendosi rregulla e norma, që mundësojnë themelimin e bashkëjetesës, ashtu që i kushtoi rëndësi të veçantë tre elementeve kruciale:

1) Drejtësia (barazia qytetare). Elementi i drejtësisë që e karakterizon Kartën, në mënyrë gjithëpërfshirëse, përbën një nga bazat themelore, për arritjen e paqës dhe bashkejetesës. Të gjithë qytetarët, pa dallim, feje, fisi apo culture, me ligj konsideroheshin të barabartë në vend, për nga aspekti i të drejtave, përgjegjësive dhe detyrimeve. Karta, prodhoi një barazi qytetare, në kushtet ekzistuese të kohës, si asnjëherë më parë, duke filluar nga aspekti i sigurisë, përballimi i jetesës, pjesëmarrja në interesin e përgjithshëm, liria e fesë, respektimi fisit e kulturës, sanksionimi i keqbërësit, mbrojtja e jashtme, etj. Falë  drejtësisë, e cila përsëritet disa herë në tekstin e marrëveshjes, palët e pranuan Kartën, unanimisht.

2) Mirësjellja qytetare. Mirësjellja qytetare, është një element tjetër, që Pejgamberi a.s. e ka theksuar në Kartë, ashtu që se cili, të respektojë fenë, fisin dhe kulturën e tjetrit, pa urrejtje e kërcënime. Karta kërkonte prej të gjithëve, sidomos prej myslimanëve, që të sillen mirë me hebrenjtë, si një përpjekje për largimin e të kaluarës dhe ndërtimin e paqës e të bashkëjetesës. Në nenin e 17, Karta, citon: “Është detyrë e të gjithë muslimanëve të ndihmojnë dhe t'u ofrojnë përkrahje çifutëve, të cilët kanë hyrë në marrëveshje me ta. Askush nuk do t’i shtyp, e as nuk do t’i ndihmojë armiqtë e tyre kundër tyre.” Zatën, vetë feja islame, urdhëron për bashkëjetesë. Pejgamberi a.s., këtë e ka dëshmuar në praktikë, sidomos, me të krishterët e Nexhranit, kur atyre u garantoi mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të tyre, për fenë, fisin, kishat, etj.[15]  

3) Kundërvënia ndaj padrejtësive. Ky element, mbetet një masë garantuese për implementimin e marrëveshjes së paqës. Karta e Medinës, në emër të ruajtjes së të drejtave njerëzore, ka paraparë masa repressive kundër atij, që bën krime, padrejtësi, etj., po qoftë ai, edhe djali i ndonjërit prej tyre. Në nenin 14, Karta thotë: “Besimtarët e devotshëm, patjetër duhet t’i kundërvihen tiranit ose atij, i cili mendon në padrejtësi dhe krime, i shkel të drejtat apo shtie huti në mes besimtarëve. Të gjthë bashkërisht le t’i kundërvihen atij, po bile edhe nëse është djali I ndonjërit prej tyre.” Ndërsa, në nenin 24, Karta thekson: “Asnjë besimtari, i cili ka pranuar atë që gjendet e shkruar në këtë traktat, i cili beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, nuk lejohet ta ndihmojë e as strehojë kriminelin, e ai i cili e ndihmon dhe e strehon atë, mbi të bie mallkimi i Allahut dhe hidhërohet me të në Ditën e Gjykimit dhe nuk pranohet prej tijdëmshpërblimi e as kompenzimi (sarfun ve adlun).” Mbi të gjitha, ky është parim kur’anor: “Zoti urdhëron për drejtësi dhe mirësi”. Në Kur’an është e ndaluar çdo formë padrejtësie. “O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj…” (En-Nisa, 135)

Pejgamberi a.s., nuk krijoi një umet duke mohuar mënyra e tjera të jetesës përveç Islamit, ose duke njohur Islamin si fenë e vetme; përkundrazi, ai i bashkoi të gjithë banorët e qytetit në frymën e të jetuarit etik dhe sipas parimeve morale – diçka e përbashkët kjo për të gjitha qeniet dhe besimet hyjnore. [16]

Një metodologji të ngjashme e ka aplikuar edhe Pakoja e Ahtisarit. Që në fillim, Pakoja e Ahtisarit e kërkon drejtësinë, barazinë qytetare dhe mbrojtjen e të drejtave. Neni (1.2.): “Ushtrimi i autoritetit publik në Kosovë do të bazohet në barazinë e të gjithë qytetarëve dhe respektimin e nivelit më të lartë të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ndërkombëtarisht të pranuara, si dhe në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe pjesëmarrjes së të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.” Ndërsa në nenin vijues (1.3.), citon: “Kosova do të miratojë Kushtetutën (…), e cila do të promovojë bashkëjetesën paqësore dhe prosperitetin e të gjithë banorëve saj.[17]  

 

8. Evitimi i diskriminimit - të drejtat civile dhe politike

Karta e Medinës, në tërësinë e saj, i ka kushtuar rëndësi evitimit të diskriminimit, ndërsa e ka fuqizuar respektimin e të drejtave njerëzore. Ajo, e garantoi dinjitetin e individit, pavarësisht përkatësinë fetare, etnike, gjinore, etj., sidomos për robërit dhe të varfërit. Siç dihet, në atë periudhë, i pasuri ka gëzuar autoritet dhe paprekshmëri, ndërsa i varfëri është shtypur. Nëse një i varfër, ka bërë ndonjë shkelje apo ndonjë vepër penale, si kompenzim për deliktin është marrë robë dhe në pamundësi të pasurisë, ka përfunduar në robëri gjatë tërë jetës, po qoftë edhe për pak mjete. Këtë praktikë, Karta e Medinës e evitoi, ndërsa themeloi një platform për të drejtat civile e politike, ato, që OKB-ja, i ka garantuar me Paktin ndërkombëtar të vitit 1966, pra në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Në shumë nene të saj, Karta e Medinës i inkurajoi komunitetet e palëve të marrëveshjes, musliman dhe jo musliman, që të organizojnë mbledhjen e ndihmave për të bërë pagesën për lirimin e robërve apo shpagimin e gjakut të tyre, secili komunitet për anëtarin e bashkësisë së vet. Kjo është pasqyruar në Kartën, duke filluar nga neni 3 deri te neni 12. Në nenin 12 thuhet: “Nëse në radhët e muslimanëve një njeri i varfër është fajtor i ndonjë sulmi, për të cilin shpagimi i gjakut bëhet i detyrueshëm ose ai merret rob dhe nuk është i aftë vetë ta paguajë shpërblimin për lirim; duhet të jetë detyrë e muslimanëve të tjerë ta paguajnë në emër të tij shpagimin e gjakut ose shpërblimin për lirim dhe ta lirojnë atë, me qëllim që, në marrëdhëniet e ndërsjella të muslimanëve, të krijoheshin virtytet dhe dashamirësia.[18] Me këtë hap, robëria, në fakt mori fund, përveç robërisë së luftës. Ndërsa, në nenin, 52, u garanton të drejtën e lëvizjes së lirë të gjithë qytetarëve njëlloj “Kushdo që del jashtë Medines është i sigurt, kushdo që qëndron në Medine është i sigurt, përveç atyre që bëjnë padrejtësi dhe parregullsi.”

Këto të drejta civile e politike, i ka promovuar edhe Pakoja e Ahtisarit, madje në mënyrë shumë të sforcuar dhe ekzagjeruar, për gjatë gjithë tekstit të marrëveshjes.[19]

 

9. Diversiteti fetar, etnik e kulturor

Karta e Medinës, në mënyrë të qartë e pranon diversitetin fetar, etnik e kulturor. Me vetë faktin, që Pejgamberi a.s., në tekstin e Kartës, i ka evidentuar fiset jomuslimane, është argumenti më i mirë për pranimin e diversitetit fetar, etnik e kulturor. Sepse, siç dihet, fiset hebreje, dallonin me muslimanët, për nga aspekti i fesë, etnisë dhe kulturës.

Që në fillim, Pejgamberi a.s., i cilësoi se të gjithë banorët e Jethribit (medinës), myslimanë, hebrenjë e politesitë, përbëjnë një kombësi (ummet). Prej nenit 27 deri te neni 36, Karta e Medinës, pasi theksonte se muslimanët dhe hebrenjët përbëjnë një kombësi politike e kushtetuese, në vazhdim e përcakton lirinë e besimit dhe të drejtën për të jetuar sipës fesë së tyre: “Ata, janë një bashkësi (ummet) me muslimanët, ata e ndjekin fenë e tyre, kurse muslimanët të veten…”. Zatën, kjo është logjika e fesë Islame. “Ju keni fenë tuaj, unë kam fenë time.” (Kafirun, 6); “Dhe nuk je ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë!” (Gashije, 22); “Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!” (Junus, 99).

Të njëjtën metodë e ka ndjekur edhe Pakoja e Ahtisarit, e cila, promovon diversitetin fetar, etnik, e kulturor në mes komuniteteve në Kosovë: “Kosova do të garantojë mbrojtjen e identitetit kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar të të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.”[20]

 

10. Faktorizimi i pakicave në komponentë konstituive

Një element tjetër metodologjik, që ka përshkuar Kartën e Medinës është faktorizimi i fiseve apo etnive, në pozitë konstituive, e që përbën pikën më neuralgjike për arritjen e marrëveshjes.Pejgamberi a.s., që tashmë në Medinë, ishte factor i forcës, për shkak të shumicës muslimane dhe lidershipit të pakontestueshëm, e zgjodhi një strategji tipike dhe konform rethanave ekzistuese. Sikurse serbët, që refuzonin shqiptarët, ashtu edhe hebrenjët, nuk pranonin abstrahimin nga jeta udhëheqëse në Medinë. Ai, të gjitha fiset i faktorizoi, duke i vendosur në pozitë konstituive të marrëveshjes. Në nenin e dytë të Kartës, thuhet: “Të gjithë ata që bëjnë pjesë në këtë marrëveshje janë një ummet – bashkësi unike, kundrejt njerëzve të tjerë.” Siç shihet, në origjinal është përdorur fjala “ummet”, e që është ekuivalet për nocionin “komb”.[21]

Pastaj, neni 43, citon: “Medineja (Jethribi), brendësia e saj, është përgjegjësi (e shenjtë) për palët e kësaj marrëveshjeje.” Neni 48: “Muslimanët dhe jehuditë, duhet t’i dalin njëri-tjetrit në ndihmë kundër çdo njërit, i cili e sulmon Medinen.

Pra, i ka shndërruar në një popull të vetëm, duke i ulur tensionet, përfundimisht dhe, në anën tjetër, duke i shndërruar në factor për ndërtimin e vendit dhe marrjen e përgjegjësive. Çështja nuk ndalet vetëm në evidentimin e këtij fakti, porse, ky akt në mënyrë emblematike, përfaqëson lirinë dhe barazinë qytetare, të shtrirë në të gjitha nenet e Kartës. Është interesante, se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në premabulën e Kushtetutës së tyre, e kanë evidentuar elementin e “popullit”, e jo atë të etnive apo të shteteve. Në preambulën e saj, thuhet: “Ne populli i Shteteve të Bashkuara…” (We the People of the United States).[22]

Lartësimi i fiseve, sidomos i fiseve të vogla, në nivel të barabartë, përveçse ishte vlerë kategorike kundër elitizmi fisnor, racizmit, origjinës, etj., që ishin mjaft të theksuara, në anën tjetër, kjo e evitoi çdo pakënaqësi apo pengesë për arritjen e marrëveshjes. Të gjithë, ndiheshin të barabartë. Sepse, Karta e evitoi idenë e mbizotërimeve fisnore, ndërkohë që të gjithë qytetarët, përmes hierarkisë fisnore, do të shndërrohen në pjesëmarrës të barabartë në udhëheqjen e qytet-shtetit të Medinës.  

Por, ç’e do që, të njëjtën metodologji e ka ndjekur edhe Pakoja e Ahtisarit, e cila, përveç shqiptarëve si komunitet më i madh, të gjitha komunitetet e tjera tradicionale në Kosovë, i ka ngritur në nivel konstituiv të shtetit, duke e shpallur Kosovën, si vend multietnik dhe multifetar, pavarësisht, përqindjen fare të vogël. Në pjesën “Dispozitat e përgjithshme”, dhe në Aneksin II “Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Komuniteteve”, pastaj në Aneksin V, Pakoja e Ahtisarit, u garanton kompetenca marramendëse komuniteteve pakicë, e që kryesisht kanë karakter të benifiteve se sa të drejta të njeriut, në kuptimin praktik të fjalës. 

Me këtë akt madhor, Karta e Medinës, i paraprinë të gjitha kartave të OKB-së, të cilat kanë shërbyer si prelud, për Pakon e Ahtisarit, siç është: Deklarata Universale për të drejtat e njeriut (1948); Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore (1950), Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (1966); Pakti ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore (1966), etj.

Njëherit, kjo përbën aktin historic, veçanërisht, kur e kemi parasysh faktin se kjo Kartë kushtetuese është shkruar në një kohë kur as që bëhej fjalë për të drejtat e qytetarëve në dy perandoritë e asaj kohe, ajo e Bizantit dhe e Persisë, e jo më për të drejtat e fiseve arabe në Gadishullin Arabik. Deri atëherë, i forti sundonte, ndërsa i dobëti sundohej, pavarësisht të drejtën. Por, Karta, promovoi barazinë qytetare, duke tejkaluar orvatjet e Platoni (te libri Republika) dhe Aristoteli në librin e tij mbi politikën për të hartuar një teori politike për shoqërinë greke të asaj kohe.[23]

 

11. Sanksionimi i politikave asimiluese

Sot, OKB-ja, i kushton shumë rëndësi lirive dhe të drejtave të njeriut, përfshirë aspektin etnik, fetar e kulturor, si një mbrojtje e dinjitetit të njeriut, e mbi të gjitha si një preventivë kundër asimilimit të llojit.[24] Por, Karta e Medinës, para mbi 14 shekujsh, i pati kushtuar një kujdes të shtuar, ruajtjes së veçorive grupor, ashtu që i faktorizoi fiset në njësi konstituive, duke u garantuar mbrojtje kundër çdo asimilimi.

Fiset, e kishin të drejtën e plotë të qëndronin në fenë, etninë e kulturën e vet, dhe nuk kishin asnjë detyrim, t’i përshtaten tipareve të palës shumicë, siç veprohet në projektet asimiluese. Prej nenit 27 deri te neni 36, Karta e Medinës, pasi theksonte se të gjithë përbëjnë një ummet, në vazhdim e përcaktonte të drejtën e jomuslimanëve për të punuar e vepruar sipas fesë tyre. Ata, janë një bashkësi (ummet) me muslimanët, ata e ndjekin fenë e tyre, kurse muslimanët të veten…”. Ndërsa, në nenin 17, citon: “Është detyrë e të gjithë muslimanëve të ndihmojnë dhe t'u ofrojnë sjellje miqësore çifutëve, të cilët kanë hyrë në marrëveshje me ta.

Këtë metodologji kundër asimilimit, e ndjek edhe Pakoja e Ahtisarit, e cila, në aneksin (II) - Të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, neni 2.6., citon: “Kosova do të ndërmerr veprime efektive kundër të gjithë atyre që pengojnë gëzimin e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve. Kosova do të përmbahet nga politikat apo praktikat që kanë për qëllim asimilimin, kundër vullnetit të tyre, të personave të cilët u përkasin komuniteteve dhe do të mbrojë këta persona nga çfarëdo veprimi që ka për qëllim një asimilim të tillë.

 

12. Centralizimi shtetëror dhe autonomia komunitare

Para marrëveshjes, Medineja ishte qytet i përndarë, kufijtë e tij fizikë ishin të paqartë, ngase, secili fis zotëronte territorin e vet. Mirëpo, ky trend do të mbarojë me Kartën e Medinës, e cila, Medinën e shndërroi në territor të përbashkët për të gjithë qytetarët, me të gjitha të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë.

Pas ratifikimit të marrëveshjes, të gjitha fiset kanë qenë përgjegjës mbi Medinën, si nga aspekti i ruajtjes së paqës ashtu edhe nga aspekti i ndërtimit të jetës shoqërore. Neni 43 i Kartës së Medinës, citon: “Medineja (Jethribi), brendësia e saj, është përgjegjësi (e shenjtë) për palët e kësaj marrëveshjeje.” Ndërsa, nenin 48, Karta i obligon, palët, që ta mbrojnë Medinën edhe nga sulmet e jashtme: “Muslimanët dhe jehuditë, duhet t’i dalin njëri-tjetrit në ndihmë kundër çdo njërit, i cili e sulmon Medinën.”

Në këtë kontekst, qytet - shteti i Medinës, ka ndërtuar një autoritet të centralizuar, për sa i përket çështjeve të sigurisë, të brendshme apo të jashtme, përfshirë ndërtimin e mekanizmave të përgjithshëm shoqëror. Por, krahas, kësaj, Karta e Medinës, të gjitha fiseve, ua ka njohur një nivel të autonomisë në çështjet sociale dhe fetare,[25] e që mund ta quajmë si një lloj autonomia fisnore.

Muhamedi a.s. merrte vendime përfundimtare vetëm në rastet kur fiset nuk mund t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet ndërmjet njëri-tjetrit dhe këto vendime bazoheshin në ligjet e përcaktuara në Kartë. [26] Kur anëtarët e bashkësisë hebraike, paraqitnin ndonjë çështje juridike përpara të Dërguarit Muhamed, si kryetar i qytetit – shtet të Medinës, ai i pyeste rabinët si e rregullon Tevrati (Tora) këtë çështje. Pasi merrte përgjigjën, kërkonte që të zbatohen rregullat e Torës.[27] Me një rast, pas marrëveshjes së Medinës, disa çifutë u paraqitën te Profeti Muhamed, që ai të zgjidhën dhe të gjykon në një debat dhe mospajtim mes tyre dhe një rast tjetër mes tyre dhe disa muslimanëve. Në rastin e parë, duke u bazuar në rastet gjyqësore mes çifutëve ai gjykoi në bazë të ligjeve të tyre gjyqësore. Në rastin e dytë ai gjykoi në favor të çifutëve pasi dëgjoi rastin nga të dy palët, por muslimanët që në fakt ishin hipokritë ishin të mërzitur nga ai gjykim. Kjo ngjarje potencohet edhe në Kur’an (4:65). [28]

Të njëjtën metodologji e ka ndjekur edhe Pakoja e Ahtisarit, si nga aspekti I sigurisë, ashtu edhe nga aspekti I çështjeve sociale. Kosova ka të drejtë, që të krijojë mekanizmat e sugurisë, Policinë (PK) dhe Forcën e Sigurisë (FSK), që kujdesen për paqën e brendshme, po edhe për sigurinë e jashtme (kufijtë), fillimisht në bashkëpunim me Prezencën Ushtarake Ndërkombëtare (PUN).[29] Në anën tjetër, ajo, të gjitha komuniteteve pakicë, u ka njohur një autonomi të brendshme organizative, madje në mënyrë shumë të zgjeruar, në çështjet sociale, që kanë të bëjnë me identitetin, fenë, gjuhën, kulturën, shkollimin, simbolet, etj.[30] Kështu, atyre, u ka rezervuar përfaqësim, në organet vendimarrëse: në Kuvend (Legjislativ), Qeveri (Ekzekutiv), etj., si një mbrojtje kundër asimilimit.

Mirëpo, për krahasim me Kartën e Medinës, që aplikoi një autonomi fisnore, brenda parimeve të drejtësisë, në anën tjetër, Pakoja e Ahtisarit, konceptin e autonomisë parimore në çështjet sociale, e ka ekzagjeruar përtej optimumit. Sepse, komunitetit serb, i ka rezervuar me automatizëm, një strukturë normative brenda marrveshjes, që autonominë e tyre etnike e lartëson në kornizë shtetërore brenda Republikës, e që fillon nga decentralizimi i komunave me shumicë serbe, ekstraterritorialiteti i kishave e manastireve ortodokse, politikat edukativo-arsimore, e deri te mandatet e rezervuara në Kuvend, Qeveri, Gjykatë Kushtetutese, e që e lëndojnë thelbësisht drejtësinë e marrëveshjes dhe e cenojnë integritetin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.[31] Këto megakompetenca, nuk i ka asnjë komunitet pakicë në botë dhe as nuk mund të gjenden në ndonjë praktikë të marrveshjeve, nga e kaluara, prandaj, Pakon e Ahtisarit e etiketon me njollën e padrejtësisë.

 

13. Platformë shtetërore

Karta e Medinës, në asnjë vend, nuk e citon statusin e Medinës si shtet, siç pati vepruar, për shembull, Lidhja e Prizrenit, e cila në “Kararname”, neni 16, e shpall Prizrenin kryeqytet të Lidhjes. Sepse, ideja fillestare ishte arritja e paqës dhe bashkëjetesës ndërshoqërore. Por, Karta e Medinës është podium apo platformë themeltare, mbi të cilën është ngjizur dhe ndërtuar shteti në ardhje I Medinës. Është vetë Pejgamberi a.s., ai i cili, me drejtësi e vizion, menjëherë pas marrëveshjes, i konsolidoi radhët ndërshoqërore dhe e lartësoi Medinën në kornizë të qytet-shtetit. Në këtë kontekst, Medineja, e cila në Kartë, identifikohej me emrin e vjetër “Jethrib”, pas zhvillimeve te reja shtetformuese, fitoi emërtimin e ri “Medinë” (qytet) apo “medinetur-rresul”  - qyteti i Pejgamberit, si një dëshmi që e ndante imazhin e ri të Medinës nga mugëtira e së kaluarës. Në këtë drejtim, janë të njohura letrat e Pejgamberit a.s., drejtuar mbretërve e perandorëve, që e pasqyrojnë performancën e Medinës si shtet.[32]

Në analogji me këtë, edhe Pakoja e Ahtisarit, në asnjë vend, nuk e titullon Kosovën si shtet. Por, ajo, është platformë themeltare, mbi të cilën është shpallur Pavarësia e Republikës së Kosovës, më datë 17 shkurt 2008. Rrjedhimisht, Kosova shndërrohet në Republika e Kosovës dhe e krijon flamurin e ri, si një dëshmi, që identifikon profilin e ri të Kosovës dhe karakterin multietnik të saj.

 

Përfundim

Duke marrë për bazë gjithë atë që është thënë në këtë punim, mund të përfundojmë si në vijim:

1. Rasti i Medinës dhe i Kosovës, kanë përngjashmëri tipologjike, për nga karakteri i konfliktit, struktura e popullsisë, diversiteti fetar dhe etnik, antagonizmi i palëve konfliktuoze, etj.;

2. Karta e Medinës dhe Pakoja e Ahtisarit, në parim, kanë synuar paqën ndërshoqërore dhe kultivimin e bashkëjetesës, si objektiva madhor;

3. Karta e Medinës dhe Pakoja e Ahtisarit, mbrojnë fuqishëm karakterin multifetar, multietnik e multikulturor të shoqërisë, duke respektuar në plotëni, të drejtat civile e politike, për të gjithë qytetarët;

4. Në kontekst të zgjidhjes së konfliktit, Pakoja e Ahtisarit, ka zhvilluar një metodologji konvergjente me Kartën e Medinës, duke filluar nga ndërmjetësimi, dialogu, tejkalimi i sfidave, koncesionet, drejtësia, barazia qytetare, dinjiteti njerëzor, evitimi i diskriminimit, faktorizimi i pakicave në komponentë konstituive, mbrojtja e veçorive identitare, fetare, etnike e kulturore, e deri te sanksionimi i politikave asimiluese;

5. Karta e Medinës, rigorozisht është ndërtuar mbi parimet e drejtësisë dhe barazisë qytetare, gjersa nuk lë hapësirë për ndonjë dilemë apo kontestim. Për dallim prej saj, Pakoja e Ahtisarit, ka bërë tejkalime në parimet e drejtësisë, ashtu që ka privilegjuar pakicat etnike, posaçërisht pakicën serbe, të cilës i ka garantuar një status ekuivalent me kornizën e shtetit brenda shtetit, e që e cenon integritetin e vetë Republikës;

6. Karta e Medinës dhe Pakoja e Ahtisarit, janë platformë themeltare, mbi të cilat, janë ngjizur shtetet përkatëse në ardhje.*

 

 

(I botuar në revistën ‘Edukata Islame’, nr.122/2020, fq.101-120)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



[1] Sipas disa burimeve, Pejgamberi a.s., së pari, e ka shkruar një verzion të Kartës vetëm për muslimanët (ensarët dhe muhaxhirinët), e pastaj, bazuar në zhvillimet socio-politike, të njëjtin dokument e ka transformuar në verzionin përfundimtar, duke e bërë gjithëpërfshirës për të gjitha komunitetet e Medinës, muslimanë e jomuslimanë.

[2] Ibn Hisham, Es-siretu’n-nebevijjetu, Daru Ibni Hazmi (botim i ri, i përmirësur dhe reduktuar), botimi i dytë, 1430/2009, fq. 232.

* Gjatë këtij punimi studimor, do t’i referohemi tekstit origjinal në gjuhën arabe: 1) Verzioni i Ibn Hishamit (shih: Ibn Hisham, Es-siretu’n-nebevijjetu, fq. 232); dhe 2) Verzioni i prezentuar nga Muhamed Hamidullahi (shih: Muhamed Hamidullah, Mexhmuatu’l vethaiki’s-sijasijjeti liahdin-nebevij vel hilafeti’rr-rrashideti, Darun-nefais, botimi gjashtë, Bejrut, 1407/1987, fq.57-64). Ndërsa, për përkthim në gjuhën shqipe, kryesisht është shfrytëzuar verzioni sipas: Bashkim Aliu, Muhamedi a.s. pishtari ndriçues, Furkan ISM, 1421/2000, Shkup, fq.237-241.

[3] Shih: Ibn Hisham, Es-siretu’n-nebevijjetu, po aty, fq. 234.

* Për arsye praktike, gjatë këtij punimit, do ta identifikojmë me emërtimin “Pako e Ahtisarit”, pasiqë me këtë emërtim njihet në opinionin e gjerë, po edhe për faktin se Propozim-marrëveshja ka determinuar nxjerren e disa ligjeve, në pako, me rastin e ratifikimit të saj. Gjatë punimit, do t’i referohemi tekstit zyrtar, i publikuar në internet, në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës (shih: https://www.kuvendikosoves.org/common/docs/Propozim%20per%20Statusin%20e%20Kosoves.pdf, data e citimit:01.11.2018),

[4] Shih verzionin në gjuhën angleze: https://www.securitycouncilreport.org/atf/cf/%7b65BFCF9B-6D27-4E9C-8CD3-CF6E4FF96FF9%7d/Kosovo%20S2007%20168.Add1.pdf, data e citimit: 01.11.2018.

[5] Më gjerësisht shih:         

  https://www.kuvendikosoves.org/common/docs/Propozim%20per%20Statusin%20e%20Kosoves.pdf, data e citimit:01.11.2018.

[6] Shih: Richard Kelleher, Koncepti i paqes në Marrëveshjen e Medinës, (verzioni elektronik), burimi: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2965, data e publikimit:
18 Tetor 2014, data e citimit: 05.11.2018.

[7] Shih: Thomas W. Arnold, Historia e përhapjes së Islamit, përkth. Nexhat Ibrahimi, Dituria Islame, Prishtinë, 2004, fq. 34

[8] Shih:Thomas W. Arnold, Historia e përhapjes së Islamit, po aty, fq.35.

[9] Richard Kelleher, po aty.

[10] Richard Kelleher, po aty.

[11] Shih: Ibn Hisham, Es-siretu’n-nebevijjetu, po aty, fq. 232, 234.

[12] Shih: Richard Kelleher, po aty.

[13] Shih: Safijurrahman El-Mubarekfuri, Nektari i vulosur i xhennetit, Urtësia, Prishtinë, 1417/1997, fq.199.

[14] Shih: Pakoja e Ahtisarit: Aneksi (I) – Dispozita kushtetuese, nenët (3, 6, 8, 10, ); Aneksi (II) - Dë drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, nenët (1-4). Aneksi (III) – Decentralizimi, nenët: (4-14); Aneksi (V) - Trashëgimia fetare dhe kulturore, etj.

[15] Shih: Sulltan Ahmed Kureshi, Letrat e Muhamedit a.s., përktheu Mimoza Sinani, Logos A, Prishtinë, 2004, fq. 85-87.

[16] Sean William White, Kushtetuta e Medinës, burimi: http://ardhmeriaonline.com/artikull/article/kushtetuta-e-medines/#.W9XZQntKjIU, data e publikimit: pa datë, data e citimit: 25.10.2018.

[17] Pakoja e Ahtisarit, Dispozitat e përgjithshme, nenët (1.2. – 1.3.)

[18] Sulltan Ahmed Kureshi, Letrat e Muhamedit a.s., po aty, fq.65.

[19] Shih: Pakoja e Ahtisarit: Aneksi (I) – Dispozita kushtetuese, neni (2).

[20] Pakoja e Ahtisarit, Aneksi (II) - Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre, neni (3.2.)

[21] Ali bulaq, Historia, shoqëria dhe tradita, fq.179,

[22] Shih: The Constitution of the United States, sipas: https://www.usconstitution.net/const.pdf, pa datë të publikimit, data e citimit:25.11.2018.

[23] Shih: Muhamed Sherkavi, Vlerat e bashkëjetesës dhe parimet e saj në Kartën e Medinës, përkth. Elmaz Fida, burimi:

http://zaninalte.al/2015/03/vlerat-e-bashkejeteses-dhe-parimet-e-saj-ne-karten-e-medines/, data e publikimit:05.03.2015.

[24] Shih: “Pakti ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore (1966)”, sipas: http://www.unmikonline.org/regulations/unmikgazette/03albanian/Ahri/AIntCovEconomicSocialCulturalRights.pdf, data e citimit 25.11.2018.

[25] Shih: Richard Kelleher, po aty.

[26] Shih: Richard Kelleher, po aty.

[27] Ekmeledin Ihsanoglu, Kultura e bashkëjetesës, përktheu Musli Ymeri & Xhabir Hamiti, Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë, Prishtinë, 2007, fq.34-35.

[28] Shih: Xhemail Çupi, Diplomacia e Profetit Muhamed dhe relacionet e tij me Ithtarët e Librit, burimi: https://www.researchgate.net/publication/322471162_Diplomacia_e_profetit_Muhamed, pa datë të publikimit.

[29] Shih: Pakoja e Ahtisarit: Dispozitat e përgjithshme, Neni (9) - Sektori i sigurisë; Aneksi (VIII) - Sektori i Sigurisë në Kosovë.

[30] Shih: Pakoja e Ahtisarit, Aneksi (II) - Të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, neni (3).

[31] Shih: Pakoja e Ahtisarit, Aneksi (I), neni (3.2.), neni (3.7.), pastaj nenët (5, 6, 7, 8).

[32] Shih: Muhamed Hamidullah, Mexhmuatu’l vethaiki’s-sijasijjeti…”, po aty; Xhemail Çupi, “Diplomacia e Profetit Muhamed…” po aty.

* Ky punim është verzioni i zgjeruar i kumtesës time, në sesionin shkencor “Karta e Medinës, prijatare e Deklaratës Universale të OKB-së për të drejtat e njeriut”, organizuar nga Bashkësia Islame e Maqedonisë, mbajtur më 01 dhjetor 2018, në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës

Webfaqja zyrtare e Bashkësisë Islame Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës

KBI Prizren

Njoftime

Kur`an, Tefsir, Akaid, Fikh, Hadith, Histori Islame, Fetva të ndryshme, Video - Ligjërata ...

Në facebook

Tanzil.net

Librat

Mp3quran.net

Sa janë online

Kemi 6 miq dhe s'ka antarë në linjë